Këshilli Prokurorial i Kosovës me pesë vota për ka propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, Zejnullah Gashin.
Në votimin e fshehtë që u mbajt sot, Zejnullah Gashi mori më së shumti vota, pesë sosh, ndërsa kandidati tjetër, Rafet Halimi, e mori një votë, e kandidatët e tjerë asnjë.
“Nga numërimi i votave rezulton se kandidati që ka marrë shumicën e thjeshtë të votave prej 5 vota gjithsej është Zejnullah Gashi, ndërsa Rafet Halimi një votë dhe kandidatët e tjerë nuk kanë marrë vota. Konstatoj se Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas votimit të fshehtë, me pesë vota për, nominon Zejnullah Gashin për Kryeprokuror të Shtetit. I njëjti i propozohet presidentes së Kosovës për emërim të kryeprokrurorit të Shtetit”, tha kryesuesi Arian Gashi, raporton KosovaPress.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 1 korrik të këtij viti e ka mbajtur intervistimin e pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Sipas rezultateve të intervistimin, kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka dalë me më së shumti pikë 91.6, ndërsa Atdhe Dema është vlerësuar me 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e kishte refuzuar kërkesën. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

