Hën. Kor 13th, 2026

Sot në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta në të gjithë vendin.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 24 deri në 27 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, transmeton KosovaPress.

Shqipëria do të ndikohet këtë të hënë nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, kthjellimet do të dominojnë në Ultësirën Perëndimore, ndërsa në zonat malore të lindjes dhe juglindjes do të ketë vranësira të pakta deri mesatare, kryesisht gjatë orëve të mesditës. Pasdite, moti pritet të përmirësohet sërish me kthjellime në të gjithë vendin.

Meteorologët parashikojnë reshje të dobëta dhe të izoluara shiu në formë pikash vetëm në zonat malore të lindjes.

Temperaturat do të mbeten të larta, me vlerat maksimale që do të arrijnë deri në 36°C në Elbasan dhe Berat, ndërsa në Tiranë, Shkodër dhe Fier termometri do të shënojë deri në 35°C. Zonat bregdetare do të kenë temperatura maksimale nga 33°C deri në 34°C, ndërsa vlerat më të ulëta priten në Korçë, ku maksimumi do të jetë 29°C.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim–verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, herë pas here, intensiteti i saj mund të arrijë deri në 15 m/s.
Në det, valëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2-4 ballë.

Moti në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira.
Në vend do të fryjë një erë e fortë e cila do të arrijë shpejtësinë deri 50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri 18, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 24 deri 34 gradë celsius.

Postime të Ngjashme