Die. Kor 12th, 2026

Përparim Rama si kandidat potencial për kreun e LDK-së? Bislimi vlerëson sukseset e tij zgjedhore

Ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka lënë të kuptohet se Përparim Rama mund të jetë një nga figurat që mund të ketë rol në zhvillimet e ardhshme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në emisionin “Intervista e javës”, në KosovaPress, Bislimi ka vlerësuar rezultatet zgjedhore të Ramës, duke e veçuar atë si një figurë që ka kaluar dy gara të rëndësishme politike për kryeqytetin dhe ka arritur rezultate pozitive.

Sipas Bislimit, përvoja e Ramës në gara elektorale është një element që duhet të merret parasysh në diskutimet për të ardhmen e LDK-së, në një kohë kur partia po përballet me kërkesa për ndryshime dhe riorganizim.
Bislimi nuk ka konfirmuar një kandidaturë konkrete të Ramës për kryetar të partisë, por vlerësimi i tij për sukseset zgjedhore të kryetarit të Prishtinës ka nxitur diskutimet nëse ai mund të jetë një nga emrat potencialë për drejtimin e ardhshëm të LDK-së.

“Zoti Rama ka qenë i sfiduar dy herë në zgjedhje dhe ka dalë i suksesshëm të dy herat. Këto janë fakte. Zoti Rama ka ardhur për herë të parë në vitin 2021, nëse s’gaboj, kur ka kandiduar për kryetar të Prishtinës… Po mirë, edhe zotin Abdixhiku e solli dikush në LDK. Besoj ju kujtohet. Edhe zotin Rama, megjithëse e solli dikush në LDK, zoti Rama ka pasur dy sfida të jashtëzakonshme zgjedhore për kryeqytetin e Republikës së Kosovës dhe ka dalë i suksesshëm”, tha ai.

Duke folur për mbledhjen e nënshkrimeve të delegatëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ai shpreson që këto procese të çojnë drejt ringritjes së LDK-së.
Sipas tij, rezultatet e fundit zgjedhore të LDK-së kërkojnë reflektim të lidershipit të tanishëm të partisë.

“Unë po të them që jam duke dëgjuar, disa nënshkrime, kanë me pasur zhvillime. Shpresoj e uroj që çfarëdo këto zhvillime të jenë, t’i japin LDK-së mundësinë e ringritjes… 34:45 Nuk kam pasur e as sot e kësaj dite nuk kam asnjë problem personal me asnjë përfaqësues të LDK-së, përfshirë edhe lidershipin, për të cilin kam thënë haptas atëherë që, për vlerësimin tim, është në rrugën e gabuar. Që është në rrugën e gabuar u dëshmua dhe këtë e tregon rezultati zgjedhor… A ka qenë ngritja ajo që do të duhej të festohej si sukses, mendoj që ajo lë shumë për të dëshiruar. Por uroj edhe shpresoj, nuk jam i përfshirë as në struktura, as në këto diskutimet e brendshme, që të jem i qartë e i sinqertë me juve, uroj dhe shpresoj që LDK-ja ta gjejë rrugën e ringritjes”, potencoi ai.

Ai kërkoi edhe përgjegjësi nga partitë politike për formimin e institucioneve të reja, duke thënë se Kosova nuk mund të përballojë një cikël të pafund zgjedhjesh për çështjen e presidentit.
Sipas tij, rezultatet zgjedhore janë vlerësim i qytetarëve ndaj subjekteve politike dhe tani është përgjegjësi e deputetëve që të sigurojnë institucione stabile dhe funksionale.
Sipas Bislimit, zgjedhja e presidentit mbetet një çështje që kërkon koordinim politik, pasi institucionet e vendit duhet të krijohen mbi bazën e stabilitetit dhe funksionalitetit.

Postime të Ngjashme