Misioni i OSBE-së ka publikuar sot Raportin e monitorimit të gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë.
Raporti analizon 48 raste të krimeve të luftës që përfshijnë 138 të akuzuar, të gjykuara nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në periudhën 2019-2025. Duke u mbështetur në shtatë vjet të monitorimit sistematik të gjykimeve, raporti vlerëson shkallën në të cilën procedurat përputhen me standardet vendore dhe ndërkombëtare për gjykim të drejtë dhe identifikon zhvillimet dhe sfidat kryesore në gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.
Raporti evidenton përparim të rëndësishëm dhe nxjerr në pah shembuj të praktikës së mirë gjyqësore dhe përpjekjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës për të zbatuar garancitë për gjykim të drejtë në pajtim me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, raporti thekson se përparimi në gjykimin e krimeve të luftës duhet të shoqërohet me masa më të forta mbrojtëse, konsistencë më të madhe procedurale dhe mbështetje më efektive për viktimat dhe dëshmitarët, në mënyrë që procedurat të mund të kontribuojnë në një drejtësi kuptimplotë dhe në përputhje me të drejtat.
Tutje, raporti identifikon një numër sfidash të vazhdueshme që ndikojnë në efikasitetin dhe konsistencën e procedurave. Këto përfshijnë vonesa të zgjatura që kanë të bëjnë me mosparaqitjen e dëshmitarëve, ndryshime në përbërjen e trupit gjykues, vonesa në paraqitjen dhe përkthimin e provave, si dhe kufizime logjistike. Raporti po ashtu thekson shqetësimet në lidhje me cilësinë dhe mungesën e individualizimit të aktakuzave në disa raste, sfidat e provave dhe çështjet procedurale që lindin në procedurat e zhvilluara në mungesë.
“Besueshmëria e procedurave në raste komplekse dhe të ndjeshme varet jo vetëm nga rezultatet, por edhe nga drejtësia, konsistenca, transparenca dhe afatshmëria e procesit. Përmes monitorimit të gjykimeve, ne ndihmojmë që vëzhgimet në gjykatore të shndërrohen në rekomandime praktike, identifikim të sfidave sistemike dhe mbështetje për institucionet në forcimin e masave mbrojtëse, rritjen e besimit të publikut dhe qasjes në drejtësi për viktimat dhe dëshmitarët, duke respektuar plotësisht pavarësinë gjyqësore”, tha ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti përfundon me rekomandime për institucionet përgjegjëse si bazë për shqyrtim dhe ndjekje të mëtutjeshme të çështjeve procedurale dhe praktike të identifikuara në raport. Këto rekomandime synojnë të mbështesin procedura që zhvillohen në përputhje me të drejtat, të përforcojnë besimin e publikut dhe të sigurojnë që mësimet nga monitorimi të përkthehen në përmirësime konkrete në praktikë.
Raportin e plotë e gjeni këtu: Raport monitorimi nga gjykimet e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë | OSCE Mission in Kosovo

