Hën. Kor 6th, 2026

Bie nga kati i tretë i një ndërtese, vdes 46-vjeçarja në Shtime

Një grua 46-vjeçare ka humbur jetën të shtunën në Shtime, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një ndërtese.

Lajmin e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 5 korrik 2026, rreth orës 18:50, kur autoritetet kanë pranuar informacion se një grua kishte rënë nga kati i tretë i një objekti në rrugën “12 Qershori” në Shtime.

Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur të lënduarën. Më pas ka ndërhyrë edhe ekipi i Emergjencës së Shtimes, i cili e ka transportuar për trajtim mjekësor në QKMF-Shtime.

Rreth orës 19:20, Policia është njoftuar se 46-vjeçarja kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori i shtetit, hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktima ka rënë aksidentalisht së bashku me shtyllat metalike (gilinderat). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Postime të Ngjashme