Njoftojmë gjithë opinionin publik se videot, të cilat së fundmi po qarkullojnë në rrjetet sociale me personazhin e Myftiut Naim ef. Tërnava, nuk pasqyrojnë realitetin dhe nuk bazohen në fakte. Këto video paraqesin pretendime të pavërteta dhe mashtruese, e si të tilla janë edhe keqpërdorim i imazhit të Myftiut Naim ef. Tërnava.
Videot në fjalë përmbajnë informacione të rreme dhe për qëllim kanë dezinformimin e publikut, prandaj u bëjmë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mos bien pre e dezinformatave, dhe para se të shpërndajnë informacione të tilla, fillimisht t’i verifikojnë ato përmes burimeve zyrtare.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje mediave dhe administratorëve të platformave, në të cilat janë publikuar këto video që t’i largojnë ato menjëherë, si dhe t’i respektojnë standardet profesionale të informimit.
Institucioni ynë rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve dhe shpërndarësve të këtyre videove, në mbrojtje të së vërtetës, integritetit institucional dhe interesit publik.
Bashkësia Islame e Kosovës

