Kosovë
Sot në Vend do të mbajë mot kryesisht me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites në disa zona priten reshje të izoluara të shiut.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të jenë nga 24 deri në 27 gradë Celsius, duke shënuar një rënie të dukshme krahasuar me ditët e fundit.
Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Shqipëri
Sot, territori i Shqipërisë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme. Moti parashikohet kryesisht i kthjellët dhe me diell në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa gjatë orëve të mesditës dhe pasdites do të ketë vranësira të pakta deri mesatare, kryesisht përgjatë zonave malore, ku në mënyrë të izoluar mund të ketë reshje të dobëta afatshkurtra.
Temperaturat do të luhaten nga 16°C në zonat malore deri në 37°C në ultësirën perëndimore dhe zonat e brendshme. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa deti do të jetë me valëzim të ulët, i favorshëm për lundrim.
Maqedoni e Veriut
Sot, në territorin e Maqedonisë së Veriut do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Në zonat malore, veçanërisht në pjesët perëndimore dhe verilindore, lokalisht mund të zhvillohen reshje të shkurtra shiu, të shoqëruara me bubullima.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13°C deri në 22°C, ndërsa ato maksimale nga 31°C deri në 38°C, me vlerat më të larta në rajonin e Vardarit dhe juglindje të vendit. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior, ndërsa në zonat ku priten zhvillime konvektive mund të ketë përkohësisht erë më të fuqishme.

