Mër. Kor 1st, 2026

​Ademi takon drejtuesit e klubeve të promovuara në kategoritë më të larta

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur drejtuesit e klubeve që siguruan promovimin në kategoritë më të larta të garave të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke i uruar për suksesin e arritur.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ademi vlerësoi se promovimi i këtyre klubeve është fryt i punës së palodhur, përkushtimit të vazhdueshëm dhe organizimit profesional të tyre ndër vite.

“Ky promovim është rezultat i një pune të gjatë, i përkushtimit të vazhdueshëm dhe i besimit në projektet sportive që secili klub ka ndërtuar ndër vite. Këto suksese dëshmojnë qartë se puna, organizimi dhe vizioni i mirëfilltë sportiv gjithmonë shpërblehen me arritje të merituara”, ka shkruar Ademi.

Në Superligë janë promovuar Vushtrria dhe Feronikeli 74, ndërsa në Ligën e Parë Mitrovica dhe Lepenci. Në Ligën e Dytë janë ngjitur Dardana 10 dhe Istogu 03, derisa në Superligën e Futsallit promovimin e kanë siguruar Policia dhe Rahoveci. Ndërkaq, në Superligën e Vajzave është promovuar 2 Korriku.

Ademi theksoi se këto arritje dëshmojnë se puna, organizimi dhe vizioni sportiv shpërblehen gjithmonë me sukses, duke u shprehur i bindur se klubet e promovuara do të vazhdojnë të forcojnë organizimin e tyre, të kontribuojnë në zhvillimin e kampionateve cilësore dhe në avancimin e futbollit e futsallit në Kosovë.

Në fund, kreu i FFK-së uroi të gjitha klubet për këtë arritje dhe u dëshiroi suksese në sfidat e reja që i presin në sezonin e ardhshëm.

KosovaPress

Postime të Ngjashme