Pre. Qer 19th, 2026

Në Bresanë të Opojës së Dragashit u mbajt ceremonia e duasë së hatmes për 27 nxënës, vijues të mësim-besimit në Xhaminë e Vjetër “Mehmet Kuklibegu”

Në programin e duasë së hatmes, të organizuar nga Xhamia e Vjetër “Mehmet Kuklibegu”në Bresanë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame në Dragash dhe të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Xhezair Alajdini” në Bresanë, mori pjesë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.
Programi nisi me fjalën përshëndetëse të imamit dhe mualimit të xhamisë, Xhevat ef. Fetahut, për të vazhduar më pas me lexim nga Kurani famëlartë nga nxënësit dhe nxënëset e mektebit, si dhe me interpretimin e disa ilahive dhe poezive.

Pas pjesës së leximit të Kuranit, një fjalë rasti mbajti kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Dragash, Driton ef. Çengaj, i cili foli për organizimin e mësim-besimit në xhamitë e Opojës, me theks të veçantë për aktivitetin dhe angazhimin e Xhamisë “Mehmet Kuklibegu”.
Ndërkaq, kryeimami Vedat ef. Sahiti, në fjalën e tij, theksoi vlerën dhe rëndësinë e organizimit të mësim-besimit në nivel vendi, duke veçuar traditën e çmuar të ulemasë së Opojës në kultivimin e kësaj veprimtarie ndër breza. Ai gjithashtu vlerësoi punën dhe kontributin shumëvjeçar të imamit Xhevat ef. Fetahu në fushën e mësim-besimit, për të cilin është nderuar me mirënjohje nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës si imam i dalluar.
Në përmbyllje të ceremonisë, duanë e hatmes e bëri kryeimami Xhafer ef. Fejziu, duke shënuar kështu përfundimin e këtij programi solemn.

Postime të Ngjashme