Sot, në ambientet e Kursit të Kuranit “Mehmet Akif Ersoy” në Pejë, u mbajt ceremonia përmbyllëse e Gjeneratës së III-të të nxënësve, duke shënuar me sukses përfundimin e vitit edukativo-arsimor në një atmosferë festive dhe edukative.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili vlerësoi punën e stafit edukativ dhe përkushtimin e prindërve në edukimin e fëmijëve. Ai theksoi rëndësinë e formimit të brezave të rinj me dije, moral dhe vlera fetare, duke e cilësuar investimin në edukim si garanci për një të ardhme më të mirë të shoqërisë.
Programi përfshiu recitime nga Kurani, ilahi, poezi dhe pika të ndryshme artistike, përmes të cilave nxënësit prezantuan njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë vitit.
Ceremonia u mbyll me falënderime për të gjithë ata që kontribuan në mbarëvajtjen e këtij programi, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e investimit në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Gjatë vizitës në Pejë, kryeimami Vedat ef. Sahiti mbajti edhe hytben e xhumasë në Xhaminë Bajrakli – Xhamia e Çarshisë, ku u bëri thirrje prindërve që pushimet verore t’i shfrytëzojnë edhe për edukimin e mëtejshëm të fëmijëve, duke i orientuar ata drejt shkollave verore, kurseve të Kuranit dhe aktiviteteve të dobishme edukative.

