Enj. Qer 18th, 2026

Ministri boshnjak kërkon anulimin e koncertit të këngëtares serbe në Sarajevë: Mohoi gjenocidin, nxit urrejtje

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht ndalimin e koncertit të këngëtares serbe Jelena Karleusha në Sarajevë, e njohur për mbështetjen që i ka dhënë pushtetit në Serbi dhe për deklaratat e saj kontroverse lidhur me çështje politike e kombëtare.

Karleusha pritet të performojë më 8 gusht në klubin Aqua në Sarajevë, por Konakoviq ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës që ta ndalojë aktivitetin në përputhje me Ligjin për Tubimet Publike. Siç ka thënë ai, Sarajeva nuk duhet të tolerojë më ngjarje të tilla dhe se ka ardhur koha për të vendosur kufij të qartë ndaj atyre që, sipas tij, relativizojnë krimet dhe fyejnë viktimat.

“Do t’i kërkoj MPB-së së Kantonit të Sarajevës që ta ndalojë këtë koncert, sepse bëhet fjalë për një person, paraqitjet e të cilit nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare”, ka deklaruar Konakoviq, shkruan Klix, transmeton KosovaPress.
Siç ka thënë Konakoviq, çështja nuk ka të bëjë me muzikën, por me mbrojtjen e dinjitetit të shtetit dhe të viktimave të luftës.

Mos thoni se kjo nuk është punë e ministrit të Punëve të Jashtme dhe mos shkruani se nuk duhet të merrem me këto tema. Po reagoj ndaj një dukurie ku mohuesit e gjenocidit falen dhe lejohen të na poshtërojnë vazhdimisht. Po reagoj ndaj përpjekjeve për ta normalizuar një sjellje të tillë”, ka deklaruar ai.

Postime të Ngjashme