Mër. Qer 10th, 2026

Përdorimi i simboleve të UÇK-së në protestat në Tiranë, reagon OVL e UÇK-së: Nuk kemi asnjë lidhje me protestën

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas përdorimit të simboleve të UÇK-së në protestat në Shqipëri kundër kryeministrit Edi Rama.

Kjo organizatë ka bërë me dije se nuk ka asnjë lidhje me këto protesta.

Në reagim është thënë se askush nuk ka mandat që të flasë në emër të veteranëve të UÇK-së.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me individët që u shfaqën në një protestë në Shqipëri me flamurin e UÇK-së, duke pretenduar se flasin në emër të veteranëve të UÇK-së. Ky pretendim është i rremë. Nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emër tonë, pasi që ne e kemi përfaqësinë tonë në Tiranë. Nuk pati asnjë bashkërendim dhe nuk u përfaqësua asnjë qëndrim i joni”, është thënë në reagim, duke kërkuar që simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet.

“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo që shfaqet, mbart peshën e asaj sakrifice dhe kjo peshë nuk mund të huazohet për agjendën ditore të dikujt. Kërkojmë që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe qoftë hera e fundit që ato keqpërdoren”, është thënë në reagim.

Postime të Ngjashme