Enj. Qer 4th, 2026

Gjykimi për rrëmbim shkaku i borxhit 200 mijë euro, lënda i dërgohet kryetarit të gjykatës të vlerësojë se a ka bazë për përjashtim të trupit gjykues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku H.H., akuzohet për rrëmbim, pas deklarimit të mbrojtjes rreth pretendimeve për shkelje në proces, kryetari i trupit gjykues Adnan Kamberi ka marrë vendim të dërgojë lëndën te kryetari i gjykatës për të vlerësuar se a ka bazë për përjashtimin e trupit gjykues.

“Trupi gjykues pas deklarimit të mbrojtjes së të akuzuarit në procesverbalin e seancës së sotme, dhe të gjitha shkresat e saj do t’ia përcjellë kryetarit të gjykatës që të vlerësojë nëse ka bazë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, ndonjë anëtar të trupit gjykues apo edhe trupit gjykues”, tha Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, mbrojtësja e të akuzuarit H.H., avokatja Adelina Hoxha, tha se pavarësisht shkeljeve nga gjykata, të cilat i ka evidentuar, për arsye se i mbrojturi i saj H.H., nuk e mbështetë propozimin e saj, nuk parashtron kërkesë për përjashtim të trupit gjykues, por kërkon që të vazhdohet me procedurë gjyqësore ku ka mbetur duke i siguruar vazhdimin e marrjes në pyetje të të dëmtuarit- dëshmitarit A.J.

Paraprakisht, në seancë trupi gjykues i përbërë nga Adnan Kamberi- kryetar, dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gent Beka, propozoi që për shkak se në seancën e së mërkurës po mungon i dëmtuari- dëshmitari A.J., i cili ka mbetur të vazhdojë deklarimin e tij, të vazhdohet me dëshmitarë të tjerë sipas radhës.

Nga ana tjetër, prokurori Arben Hoti deklaroi se prokuroria nuk e refuzon kërkesën e gjykatës që të vazhdohet me radhën e dëshmitarëve të tjerë.

Kurse, avokatja Hoxha tha se ndërrimi i rrjedhës së procedurës nuk shërben në zbulimin e së vërtetës dhe as të interesave të të akuzuarit. Tha se gjykata vazhdimisht gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor ka marrë veprime në dëm të të akuzuarit H.H.

Më pas, gjykatësi Kamberi me aktvendim detyroi avokaten Hoxha që të specifikojë veprimet në dëm të të akuzuarit që pretendohet se i ka marrë gjykata dhe të deklarojë se a parashtron kërkesë për përjashtim të trupit gjykues.

Për këtë, avokatja Hoxha tha se disa nga shkeljet që ka evidentuar përfshijnë atë që në seancën e të mërkurës gjykata është dashur të bëjë kërkesë të veçantë për ndryshimin e rrjedhës së procesit gjyqësor, përveç lejimit të këtij ndryshimi.

Sipas avokates Hoxha, sheklje tjetër ka ndodhur në seancën e datës 7 prill 2026, në të cilën i dëmtuari- dëshmitari A.J., dhe dëshmitari R.B., kanë qenë ulur afër dhe kanë biseduar me njëri-tjetrin, duke shtuar se ky veprim është dashur të evidentohet nga gjykata sepse ekziston dyshimi se i dëmtuari ka ndikuar në deklaratën e dëshmitarit.

“Andaj, koordinimi i mundshëm i dëshmitarit me të dëmtuarin është tejkaluar nga gjykata pa u evidentuar dhe si rrjedhojë është e arsyeshme, e besueshme dhe besohet se do të ndikojë në dëmë të pandehurit”, tha avokatja Hoxha.

Shelje të tjera të cilat, sipas avokates Hoxha, kanë ndodhur në këtë proces, përfshijnë mënyrën e pabarabartë të trajtimit të dëshmitarëve dhe mosdorëzimi i audio-incizimit të seancës gjyqësore të 7 prillit 2026.

Sa i përket audio-incizimit, gjykatësi Kamberi, shtoi se duhet të bëhet kërkesë e veçantë për pranimin e audio-incizimit nga ana e Gjykatës.

Në këto rrethana, seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar pas marrjes së vendimit nga kryetari i gjykatës për vlerësimin e bazës së përjashtimit të trupit gjykues.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 qershor 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, H.H., akuzohet se më 26 shkurt 2024 me të dalë nga vetura e tij ka kapur të dëmtuarin A.J., me dhunë, presion fizik dhe psiqik dhe kundër vullnetit të tij, e ka futur në veturë dhe e ka dërguar dhe mbajtur pa vullnetin e tij në një pjesë malore të Matiçanit, duke e dërguar në një kasolle të braktisur, ku e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe e ka kanosur, duke i thënë “thirri njerëzit në t’i sjellin të hollat“, lidhur me kthimin e një borxhi në shumë 200 mijë euro. Këtë borxh, thuhet se i dëmtuari ia kishte lidhur me një pronë (e të cilin borxh nuk e mohon), e që për një kohë të gjatë nuk kishte arritur t’ia kthente.

Më pas, aktakuza thotë se ai kishte vazhduar mbajtjen e të dëmtuarit në një lokal në Veternik, pa vullnetin e tij, derisa në lokal ka shkuar vëllai i të akuzuarit duke e pyetur se çfarë ka bërë sepse është në kërkim nga policia. Më pas, ai e ka dërguar të dëmtuarin në banesën e tij.
Me këtë, i akuzuari H.H. ngarkohet me veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 par.1 të kodit penal.

Postime të Ngjashme