Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit
Të dashur besimtarë,
Nesër është dita e Kurban Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira për këtë festë madhështore të Kurban Bajramit. Me bindje dhe shpresë që nesër Bajramin ta presim e ta përjetojmë në formën më të mirë të mundshme.
Kjo natë e bekuar na rikujton madhështinë e besimit, fuqinë e sakrificës dhe vlerat që e mbajnë të fortë familjen, shoqërinë dhe kombin tonë.
Kurban Bajrami lidhet ngushtë me adhurimin më madhështor të haxhit, me qëndrimin në Arafat. Sot është dita kur miliona besimtarë nga mbarë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe kërkim faljeje para Krijuesit në rrafshnaltën e Arafatit, qëndrim i cili na e mëson barazinë ndërmjet njerëzve, pastërtinë e zemrës dhe nevojën për t’u kthyer gjithmonë te paqja dhe drejtësia, mëshira dhe solidariteti.
Zoti xh.sh., thotë:
“Dhe për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për ata që kanë mundësi ta përballojnë rrugën.” (Ali Imran, 97).
Kjo festë bart në vete edhe simbolikën e kurbanit, një akt i lartë bindjeje, sakrifice dhe afërsie me Zotin e Madhërishëm. Kurbani na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndajë nga vetja për të tjerët, kur ndihmon nevojtarin, kur afron zemrat dhe forcon solidaritetin mes njerëzve. Zoti i Madhërishëm, thotë:
“Me të vërtetë, Ne të kemi dhënë ty begati të shumta. Andaj, falu vetëm për Zotin tënd dhe prej kurban!” (El Kevther, 1-2).
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë t’i ruajmë traditat tona më të mira, ta forcojmë familjen si themel të shoqërisë dhe ta kultivojmë respektin, dashurinë dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Bajrami është festë që bashkon gjenerata, hap dyert e zemrës dhe rikthen vlerat e mirësisë, faljes dhe mirëkuptimit.
Njeriu, si krijesa më e bukur dhe më e nderuar, e pajisur me mendje, ndërgjegje dhe vlera që e dallojnë nga çdo krijesë tjetër, është thirrur në vazhdimësi përmes zbulesës hyjnore të ndërtojë paqe, mirëkuptim, bashkëpunim dhe solidaritet mes njerëzve. Njeriu është krijuar me qëllim që të përhapë dashuri, drejtësi dhe mëshirë, e jo urrejtje, përçarje dhe shkatërrime.
Në realitetin politik dhe ekonomik që po kalon vendi ynë, kjo festë na fton të reflektojmë për më shumë përgjegjësi, unitet dhe shpresë. Le të jetë Bajrami një moment afrimi mes njerëzve, tejkalim i ndasive dhe forcimi i besimit.
Më 7 të muajit të ardhshëm, vendi ynë përballet me një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit, ditën kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim. Është dita kur vota bëhet forcë, përgjegjësi dhe shpresë, për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion.
Andaj ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt, larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes. Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari, dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik. Pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta që i shërbejnë popullit dhe mbrojnë të ardhmen e vendit tonë.
I Dërguari i fundit për njerëzimin mbarë, Muhamedi a.s., ka thënë: “Më i dashuri te Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit.”
Ruajtja e vlerave morale, kultivimi i ndërgjegjes, edukimi shpirtëror, përgjegjësia individuale dhe shoqërore, paqja e brendshme, solidariteti njerëzor, respekti reciprok dhe përkushtimi ndaj së drejtës përbëjnë virtyte themelore që duhet ta karakterizojnë besimtarin e devotshëm dhe të drejtë.
Megjithatë, me dhimbje të thellë themi se po jetojmë në një botë ku luftërat, konfliktet dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme çdo ditë. Gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, duke e tronditur rëndë ndërgjegjen njerëzore. Në vend të paqes dhe humanizmit, shpesh po mbizotërojnë urrejtja, dhuna dhe interesat që shkelin mbi dinjitetin dhe jetën e njerëzve të pafajshëm.
Andaj në këtë natë feste e reflektimi, mesazhi i Bajramit bëhet edhe më i fuqishëm: Kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogun para konfliktit dhe humanizmin para interesave që sjellin shkatërrim. Sakrifica dhe solidariteti që simbolizon kjo festë na ftojnë të mos heshtim përballë padrejtësisë, por të lutemi dhe të angazhohemi për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të sigurt për të gjithë.
Në këtë Natë të Bajramit, uroj që në familjet tuaja të mbretërojë paqja, harmonia dhe begatia. Zoti i pranoftë lutjet, sakrificat dhe veprat tona të mira, ndërsa zemrat tona i mbushtë me mëshirë, dashuri dhe shpresë.
Me fat festa e Kurban Bajramit
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 26.05.2026

