Die. Maj 24th, 2026

Prishtina lason shërbimin e ri për largimin falas të mbeturinave vëllimore

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka prezantuar sot shërbimin e ri publik për largimin e mbeturinave vëllimore, duke ofruar një zgjidhje të organizuar, të shpejtë dhe falas për qytetarët e kryeqytetit.

Gjatë konferencës për media, Retkoceri tha se ky program vjen si përgjigje direkte ndaj një prej problemeve më të mëdha urbane në Prishtinë, e që sipas tij është grumbullimit të mbeturinave vëllimore pranë kontejnerëve dhe në hapësirat publike.

Ky projekt vjen pas aksionit “48”, i realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me ndërmarrjet publike dhe operatorët e kontraktuar, përmes të cilit janë pastruar rreth 90% e lokacioneve urbane nga mbeturinat vëllimore.

Gjatë kësaj periudhe, sipas komunikatës për media, ekipet komunale kanë qenë vazhdimisht në terren, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe duke bashkëpunuar me ta për identifikimin dhe denoncimin e rasteve të hedhjes së paligjshme të mbeturinave.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është bërë e ditur se për më shumë se dy muaj ofrimi i këtij shërbimi kishte qenë i pamundur për shkak të mbylljes së deponisë inerto-vëllimore nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit.

“Megjithatë, pas marrjes së mandatit si Drejtor i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, në bashkëpunim me kryetarin Përparim Rama, kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e procedurave ligjore dhe funksionalizimin e sistemit të ri”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të kësaj zgjidhjeje është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe është përmbyllur procedura për pajisje me leje mjedisore komunale, ndërsa paralelisht është organizuar edhe largimi masiv i mbeturinave nga zonat urbane të kryeqytetit.

Nga sot, qytetarët mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore përmes platformës digjitale: mbeturinat.com.

Postime të Ngjashme