Lidhja Demokratike e Kosovës po hyn në zgjedhjet e 7 qershorit me synimin për të dalë fituese, thotë kandidatja për deputete nga radhët e kësaj partie, Albena Reshitaj.
Ajo, e cila së fundi iu bashkua partisë së udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, vlerëson se LDK-ja ka platformën dhe programin më të mirë qeverisës për vendin.
Në “Intervista zgjedhore” për KosovaPress, Reshitaj deklaroi se LDK-ja po kërkon besimin e qytetarëve për të ndërtuar institucione stabile dhe për të ruajtur partneritetin me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas saj, zgjidhja ideale për presidente është Vjosa Osmani, andaj pas zgjedhjeve do të jenë të hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike që janë të gatshme për kompromis dhe për ndërtim të institucioneve funksionale.
“Ne po hyjmë në zgjedhje për të fituar besimin qytetar dhe po e vendosim përpara platformën tonë, programin tonë qeverisës, dhe normalisht mendojmë dhe besojmë që ky program është i duhuri për vendin. Ne po punojmë që të kemi institucione të qëndrueshme, që të ruajmë partneritetin tonë me miqtë tanë ndërkombëtarë, të ruajmë bashkëpunimin me kolegët, të krijojmë një unitet brenda vendit tonë dhe këtë program ta implementojmë në një qeveri e cila do të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës…(Preferencat për koalicion) Të gjithë ata që e marrin seriozisht vendin dhe ndërtimin e vendit. Të gjithë ata që janë të gatshëm të bëjnë kompromis politik të shëndoshë e t’i bashkojnë forcat për të mirën e vendit. Të gjithë ata që faktorin ndërkombëtar, sidomos miqtë tanë, i shohin si aleatë, dhe të gjithë ata që duan një shtet pa arrogancë, por një shtet që funksionon në shërbim të mirëqenies së qytetarëve”, thotë ajo.
Reshitaj e cila iu bashkua LDK-së pas ftesës së ish-presidentes Vjosa Osmani, tregon arsyet pse u largua nga koalicioni LVV-GUXO.
“Ndoshta kjo është më shumë pyetje për vetë partnerin tonë në koalicion, Lëvizjen Vetëvendosje, pse ata vendosën që të mos bashkëpunojnë me lideren tonë e cila ka themeluar partinë Lista Guxo. Sepse ata, është shumë logjike dhe legjitime, kur prishet një marrëveshje në mes të liderëve politikë, atëherë ka shumë logjikë që të gjithë anëtarët që kanë besuar në vizionin e asaj lidereje, do të jenë në krah me të…Unë kam qenë gjithmonë, prej momentit që unë kam votuar Vjosa Osmanin, unë kam qenë, siç thonë, nga ana ime e ‘leçitur’ nga partia. Kam funksionuar si e pavarur për katër vite. Unë kam qenë vetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prapë jam e lumtur me gjithë punën që kam bërë”, shton ajo.
Reshitaj gjatë karrierës politike ka qenë fillimisht në AKR, pastaj në AAK, ndërkaq i ishte bashkuar GUXO-s, e tani në LDK.
Sipas saj, këto lëvizje nuk do ta dëmtojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Jam shumë krenare për të gjithë punën time që e kam bërë gjatë karrierës politike dhe kontributin që kam dhënë për vendin. Unë mendoj se kur s’ke çka të flasësh atëherë merresh me këto gjëra. Nëse shikojmë, 70-80 për qind e deputetëve dhe liderëve kanë lëvizur në parti, duke u nisur prej liderëve të partive politike që kanë qenë në PDK, kanë kaluar në AAK dhe tani janë në LVV e kështu me radhë. Këta që po flasin janë ata që kanë bërë më shumë lëvizje politike”, shton Reshitaj.
Në anën tjetër, ajo e quan lëmoshë ndarjen nga 100 euro për pensionistë, studentë, punëtorët e sektorit privat dhe fëmijë.
Ani pse këto mjete janë ndarë edhe në muajin dhjetor, kur Reshitaj ka qenë pjesë e LVV-GUXO, ajo thotë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë para zgjedhjeve.
“Kjo është thjesht një lloj lëmoshe, edhe fatkeqësisht para fushatave zgjedhore, sepse është edhe një ofendim ndaj qytetarëve, sepse po u jepet një farë ideje që ‘po të jap një përkrahje e ti më përkrah pastaj mua në fushatë’. Stabiliteti institucional, mosshkuarja në zgjedhje, gjetja e zgjidhjeve dhe kompromisi politik, bashkëpunimi me oponentin politik, do të kishte qenë shumë më falënderuese për qytetarin sesa kjo shkuarja në zgjedhje dhe fushata. Për qytetarët gjithmonë është e mirëseardhur përkrahja e shtetit. Mirëpo është momenti i fundit që ne duhet të mendojmë për një strategji të qëndrueshme afatgjate të zhvillimit të Kosovës. Rritjen e numrit të punësimeve, sidomos për gratë dhe për të rinjtë, pastaj zhvillimin ekonomik, strategji të qëndrueshme dhe afatgjate në energjetikë, mbrojtjen e sigurisë, shëndetësi e ashtu me radhë”, përfundon Reshitaj.

