Studentët në Serbi nuk janë kurrgjë më të mirë e më të arsyeshëm se presidenti i tyre në Beograd, Aleksandar Vuçiq dhe politikanët tjerë në këtë vend, kur vjen puna për Kosovën. Këtë të fundi tata nuk e pranojnë si shtet të pavarur, por e konsiderojnë pjesë të vendin të tyre. Për më tepër, ata kërkojnë që në Kosovë të funksionojë rendi kushtetues i Serbisë, ndërsa që pos tjerash, lënë të kuptohet se janë gati ta vazhdojnë luftën për Kosovën, duke thënë se ‘lufta jonë për Kosovën dhe Metohinë është njëkohësisht luftë për nderin tonë, kulturën tonë dhe të ardhmen tonë në familjen e popujve të barabartë të botës” dhe se “ruajtja e Kosovës dhe Metohisë është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve tona”.
Këto qëndrime të tyre ata i shprehën në një project të cilin e quajtën “Memorandum Për Kosovën dhe Metohinë”, e të cilin e bënë publik të dielën.
Përmbajtja e tij e plotë, është si më poshtë:
Memorandum për Kosovën dhe Metohinë
Ne, studentët e Serbisë, të mbledhur në Kragujevc, kryeqytetin e parë të Serbisë moderne dhe qendrën e mendimit shtetformues serb, të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë personale dhe kolektive, si dhe për borxhin historik ndaj paraardhësve dhe pasardhësve tanë, kemi miratuar këtë Memorandum si shprehje të vullnetit tonë të përbashkët.
1. Kosova dhe Metohia janë pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse të Republikës së Serbisë
Ky fakt nuk është vetëm një kategori kushtetuese, por një imperativ historik dhe moral që nuk i nënshtrohet negociatave për thelbin e tij.
Ruajtja e rendit kushtetues të Serbisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë është themeli i mbijetesës së shtetit serb dhe garanci për paqe të drejtë në rajon.
2. Kosova dhe Metohia nuk janë thjesht territor; ato janë pjesë e identitetit kombëtar serb.
Si qyteti ku u themelua shtetësia moderne serbe, Kragujevci trashëgon detyrën për të qenë ruajtës i vlerave të shenjta që lindën në Kosovë dhe Metohi, jo vetëm në fushëbetejat e përgjakura, por edhe në horizontin shpirtëror nga i cili edhe sot na ndriçojnë kishat e Prizrenit, nartekset e Pejës, ari i Banjskës dhe shtyllat e kupolave të Graçanicës. Pa Kosovën dhe Metohinë, kodi ynë kulturor dhe historik humb burimin dhe kuptimin e tij.
3. Si një popull i pjekur dhe historikisht i vetëdijshëm, jemi të ndërgjegjshëm se çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në izolim, por ekskluzivisht brenda rrjedhave komplekse të bashkësisë ndërkombëtare.
Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, duke i njohur ato si partnerë të domosdoshëm në gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme dhe të qëndrueshme në kuadër të Kushtetutës së saj.
Qëllimi ynë është një model që, përmes respektimit konsekuent të së drejtës ndërkombëtare, do të sigurojë paqe, siguri dhe mbrojtje të plotë të të drejtave për popullin që jeton në këtë territor.
4. Çështja e Kosovës dhe Metohisë i përket çdo qytetari të këtij vendi.
Lidhja jonë me krahinën jugore nuk buron vetëm nga statusi ynë si mbajtës të pasaportave të Republikës së Serbisë, por nga roli ynë thelbësor si formësues të historisë dhe kulturës serbe.
Çdo individ, si bartës i kujtesës kolektive, ka detyrimin të kontribuojë në ruajtjen e kësaj trashëgimie shpirtërore dhe kulturore, e cila tejkalon kufijtë e dokumenteve administrative.
Ky Memorandum shërben si kujtesë se lufta jonë për Kosovën dhe Metohinë është njëkohësisht luftë për nderin tonë, kulturën tonë dhe të ardhmen tonë në familjen e popujve të barabartë të botës.
Nga ky vend, nga zemra e Shumadisë, deklarojmë se ruajtja e Kosovës dhe Metohisë është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve tona. /KosovaPress/

