Sht. Maj 16th, 2026

KQZ-ja sot hedh shortin për renditjen e partive në fletëvotim për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas njoftimit, kjo ngjarje do zhvillohet duke filluar nga ora 11:00 në Prishtinë.

Në këtë proces do të përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje kishte garuar me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me 130, Lidhja Demokratike e Kosovës me 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 129 ndërsa Nisma me 122.

Po ashtu sot, në orën 13:30, në ambientet e KQZ-së, do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni, ku në rend të ditës janë çështje të ndryshme përgatitore të këtyre zgjedhjeve.

Në këtë mbledhje, KQZ pritet të certifikojë kandidatët e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 7 qershorit si dhe të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin jashtë Kosovës.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026, patën deklaruar zyrtarë të KQZ-së.

Ndryshe, më 28 prill është shpërndarë legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës pasi që ky institucion legjislativ dështoi të zgjedh presidentin e ri të Kosovës sipas afateve zyrtare.

Kështu, ushtruesja e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu pas një takimi me përfaqësues të partive politike parlamentare, shpalli ditën e zgjedhjeve të parakohshme për 7 qershor.

Postime të Ngjashme