Mark Rutte, Emmanuel Macron dhe Ursula von der Leyen kanë reaguar ndaj vendimit të SHBA-së për të tërhequr trupat nga Evropa, duke theksuar nevojën që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, shkruan DW-ja.
Rutte tha se Evropa e ka kuptuar qartë mesazhin nga Uashingtoni dhe po rrit rolin e saj në NATO, duke pranuar edhe zhgënjimin amerikan për qëndrimet e disa vendeve evropiane. Sipas tij, Evropa po “forcon rolin e saj dhe NATO-n”.
Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se Evropa duhet të mësojë të mos varet nga SHBA-ja për mbrojtje dhe të ndërtojë zgjidhje të përbashkëta të sigurisë, duke rritur shpenzimet ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse.
Ndërsa Ursula von der Leyen deklaroi se BE-ja duhet të forcojë aftësitë e saj ushtarake për të qenë në gjendje të mbrojë veten në mënyrë të pavarur.
Nga ana tjetër, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e quajti vendimin e Donald Trumpit një “surprizë”, por tha se diskutime për reduktimin e trupave amerikane në Evropë kanë ekzistuar prej kohësh.

