Në një deklaratë të re, Irani thotë se është i gatshëm t’u “përgjigjet kërcënimeve të SHBA-së” lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Ka sërish reagime nga Teherani pas njoftimit të presidentit Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane do të nisë të shoqërojë anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit duke filluar nga “mëngjesi i së hënës, sipas kohës së Lindjes së Mesme”.
Ministria e Jashtme e Iranit ka deklaruar se është e gatshme të “përgjigjet ndaj kërcënimeve të SHBA-së” në këtë zonë strategjike.
Në një deklaratë të shpërndarë nga agjencia gjysmëzyrtare Mehr, zëdhënësi Esmail Baghaie tha se Irani mbetet “rojtar dhe mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit. Ai shtoi se “anijet dhe kompanitë e transportit detar e dinë mirë se garantimi i sigurisë së tyre kërkon koordinim me autoritetet përkatëse të Republikës Islamike të Iranit”, shkruan BBC-i.
Baghaie theksoi gjithashtu se nuk ka arsye që shtetet që respektojnë ligjin të ndjekin “veprime të paligjshme” nga SHBA-ja.
Ndërkohë, më herët kreu i komandës qendrore të Iranit deklaroi se do të sulmohet “çdo forcë e armatosur e huaj” që tenton të afrohet ose të hyjë në këtë ngushticë, “sidomos ushtria amerikane”.

