Sht. Maj 2nd, 2026

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë anekënd Kosovës, u mbajt hytbe e përbashkët me temën “Kujdesi prindëror dhe sfidat bashkëkohore të familjes”.

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë anekënd Kosovës, u mbajt hytbe e përbashkët me temën “Kujdesi prindëror dhe sfidat bashkëkohore të familjes”.
KUJDESI PRINDËROR DHE SFIDAT BASHKËKOHORE TË FAMILJES
Të nderuar besimtarë,
Zoti në Kuranin fisnik na ka porositur dhe urdhëruar që të lexojmë dhe të mësojmë, të arsimohemi dhe të avancojmë çdo ditë të jetës sonë, si në arsim, shkencë, kulturë dhe profesione të ndryshme, për të qenë besimtarë të devotshëm dhe të dobishëm për familjen tonë, shoqërinë, shtetin dhe kombin tonë.
Një nga qëllimet e misionit të Pejgamberit tonë të dashur a.s., përveç përcjelljes së mesazhit të Zotit te njerëzit, ishte edhe “përsosja e moralit të njerëzve”, për t’ua mësuar besimtarëve një marrëdhënie të bukur dhe fisnike në familje, fqinjësi dhe shoqëri.
Ndër besimtarët më të mirë, Pejgamberi a.s., i ka klasifikuar ata që janë “më të mirët për familjet e tyre”, duke na kujtuar, jo për t’u mburrur, se ai është më i miri për familjen e tij, fëmijët dhe të afërmit e tij.
Në mënyrë që familja t’u mbijetojë sfidave të kohës dhe imponimit të vlerave moderne familjare, të cilat shpesh janë në kundërshtim me pikëpamjet tona tradicionale për familjen dhe martesën, ne duhet t’iu kthehemi themeleve të praktikës sonë fetare, rrugës së Pejgamberit të Zotit a.s..
Si prindër, një pjesë shumë e rëndësishme e obligimit tonë si besimtarë është të kujdesemi dhe t’i edukojmë fëmijët tanë, që janë e tashmja dhe e ardhmja jonë. Ky obligim nuk nënkupton vetëm përkujdesje materiale, por edhe udhëzim moral, mbështetje emocionale dhe mbikëqyrje të vazhdueshme në zhvillimin dhe edukimin e tyre të drejtë.
S’ka dyshim se shoqëria jonë është duke u ballafaquar me sfida në rritje, që ndërlidhen me propagandat e organizuara, fushatat dezinformuese të mediave, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve që kanë për synim fëmijët tanë.
Të gjitha këto mund të ndikojnë negativisht në edukimin e tyre dhe në aspekte të tjera që prekin fenë tonë, besimin, si dhe sigurinë e fëmijëve, familjes, shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi.
Këto ndikime nga bota virtuale shpesh shfrytëzojnë moshën e re, mungesën e përvojës dhe qasjen e pakontrolluar në teknologji, ku promovohen dhe luhen lojëra që nxisin dhunë dhe urrejtje.
Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe nuk guxojmë të lejojmë që dikush tjetër, para syve tanë, t’i kontrollojë dhe t’i orientojë fëmijët tanë dhe shoqërinë tonë në drejtime të caktuara.
Prindërit dhe familja duhet të angazhohen vazhdimisht dhe pa neglizhencë, që të jenë burimi kryesor i udhëzimit dhe orientimit për fëmijët tanë.
Të dashur besimtarë,
Në këto platforma dhe rrjete sociale shpesh fshihet një ndikim i huaj, që synon të na dëmtojë në shumë aspekte, sidomos fëmijët tanë, të cilët janë dhurata më e çmuar me të cilën na ka bekuar Zoti Fuqiplotë.
Është e domosdoshme që fëmijët tanë t’i mësojmë dhe t’i edukojmë të dallojnë të vërtetën nga manipulimi dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme dhe racionale.
Qasja e tyre në informacion duhet të shfrytëzohet për qëllime arsimore, edukuese dhe shkencore, dhe jo që të bien pre e keqpërdorimeve dhe manipulimeve, e aq më tepër të rrezikohen fëmijët tanë, familja, shoqëria dhe atdheu.
T’i vetëdijesojmë fëmijët tanë se disa fushata propaganduese kanë për synim polarizimin e shoqërisë, të tjerat radikalizimin e të rinjve dhe orientimin drejt akteve të dhunës, duke keqinterpretuar qëllimisht normat fetare, si dhe nxitjen e aktiviteteve kriminale dhe përhapjen e pseudo-vlerave, që janë në kundërshtim me vlerat tona fetare dhe kombëtare.
Ne, si prindër, duhet të jemi të vetëdijshëm për këto dukuri, të kemi komunikim të vazhdueshëm me fëmijët tanë, të ndërtojmë besim me ta dhe të bashkëpunojmë me institucionet arsimore relevante sa herë që kemi edhe dyshimin më të vogël për sjellje të papërshtatshme.
Të dashur besimtarë,
Në aspektin fetar, Islami na mëson se çdo prind është përgjegjës për amanetin që i është besuar.
Siç transmetohet nga Abdullah ibën Omeri, se i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë: “Secili nga ju është bari për kopenë e tij.”
Amaneti më i madh është edukimi i drejtë i fëmijëve, ruajtja e tyre nga e keqja dhe udhëzimi në rrugën e drejtë. Këto janë detyra tona parësore, që kërkojnë përkushtim dhe kujdes të vazhdueshëm.
Zoti në Kuranin fisnik, na urdhëron të kemi kujdes maksimal për edukimin e fëmijëve tanë dhe familjen: “O ju që keni besuar, ruani veten dhe familjet tuaja…” (Et Tahrim, 6).
Kjo thirrje kuranore na bën me dije se është përgjegjësia jonë që t’i rrisim fëmijët tanë sipas parimeve dhe vlerave tona unike, të trashëguara fetare dhe kombëtare.
Ne nuk duhet të lejojmë që dikush që nuk e njohim dhe që punon kundër interesave tona të bëhet “zot shtëpie” në shtëpinë tonë.
Feja jonë na thërret në dituri, urtësi, maturi dhe largim nga çdo formë e ekstremizmit, përçarjes, dhunës dhe padrejtësisë.
Duke i forcuar fëmijët tanë me besim të drejtë dhe vlera të shëndosha, ne i mbrojmë ata dhe kontribuojmë në një shoqëri dhe shtet të sigurt.
Të dashur vëllezër besimtarë,
Në fund të kësaj hytbeje, iu bëjmë thirrje familjeve dhe prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre në xhami, të ndjekin mësimet fetare pranë hoxhallarëve dhe mualimeve, të cilët me përkushtim po kryejnë një mision të shenjtë në edukimin e bijve dhe bijave tona.
Le ta shfrytëzojmë këtë pushim veror si një mundësi për fëmijët tanë që të edukohen drejt dhe të fisnikërohen me vlerat tona morale, fetare dhe kombëtare, duke marrë pjesë aktive në shkollat verore që organizohen pranë xhamive në vendin tonë.
Lusim Zotin Fuqiplotë që t’i ruajë fëmijët tanë, familjet tona dhe vendin tonë nga çdo e keqe, dhe të na shtojë qëndrueshmërinë në besimin, vlerat dhe moralin tonë.
O Zot i Gjithëmëshirshëm, mbroje popullin tonë nga çdo fatkeqësi dhe bekoje vendin tonë me mirësi, paqe dhe siguri!
01.05.2026

Postime të Ngjashme