Shtëpia Botuese “Dituria Islame” po shënon një prezantim të suksesshëm në Panairin e Librit 2026 në Shkup, i cili po mbahet në Arenën “Boris Trajkovski”, duke tërhequr vëmendjen e një numri të madh vizitorësh dhe dashamirësh të librit.
Gjatë ditëve të panairit, stenda e “Diturisë Islame” është vizituar nga personalitete dhe përfaqësues të institucioneve arsimore e fetare, ndër ta edhe drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Islam Islami, profesorë dhe profesoresha të paraleleve të djemve dhe vajzave, nxënës të medresesë, imamë, mualime, si dhe mësuese të shkollave fillore së bashku me nxënëset e tyre.
Krahas tyre, stenda ka tërhequr edhe studentë, prindër, studiues dhe shumë lexues të tjerë të interesuar për literaturë cilësore.
Vizitorët u njohën nga afër me botimet e shumta që ofron kjo shtëpi botuese, duke vlerësuar përmbajtjen e pasur fetare, edukative dhe shkencore, si dhe rolin e saj në përhapjen e dijes dhe kulturës së leximit.
Interesimi i vazhdueshëm për titujt e “Dituria Islame” dëshmon rëndësinë që ka kjo shtëpi botuese në ofrimin e literaturës cilësore për të gjitha moshat dhe kategoritë e lexuesve.
Nesër është dita e fundit e Panairit të Librit 2026 në Shkup, i cili do të jetë i hapur deri në ora 16:00, një mundësi e fundit për të gjithë ata që ende nuk e kanë vizituar, që të ndalen në stendën e “Diturisë Islame”, të zbulojnë tituj të rinj dhe të pasurojnë bibliotekën e tyre me libra me vlerë.
Shtëpia Botuese “Dituria Islame” po shënon një prezantim të suksesshëm në Panairin e Librit 2026 në Shkup

