Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të dixhitalizimit të plotë të shërbimeve të OEK-ut, të cilat do t’i ofrohen sektorit privat.
Ky projekt synon transformimin e Odës Ekonomike të Kosovës në një platformë moderne dixhitale, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më transparente dhe më të qasshme për të gjitha bizneset, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në njoftimin e OEK-ut, tuhet se përmes këtij partneriteti, pritet të zvogëlohet ndjeshëm burokracia administrative, të kursehet koha e bizneseve dhe të krijohen kushte më të favorshme për zhvillimin e ekonomisë dhe investimeve në Republikën e Kosovës. Projekti gjithashtu do të shërbejë si lehtësim i rëndësishëm për investitorët e huaj që synojnë të investojnë në Kosovë.
Oda Ekonomike e Kosovës e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve të saj dhe një ditë të veçantë për komunitetin e biznesit dhe ekonominë e vendit në përgjithësi.
“Në kuadër të këtij projekti, OEK do të zhvillojë një platformë digjitale përmes së cilës bizneset do të kenë mundësi të marrin shërbime dhe dokumente në mënyrë elektronike, përfshirë edhe përmes një aplikacioni të dedikuar që do të lansohet nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës shpreh mirënjohje për mbështetjen e BERZH-it dhe Qeverisë Zvicerane në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për modernizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit” thuhet në njoftim.

