Enj. Pri 16th, 2026

Konjufca pas takimit me homologun nga Belgjika: Presim që shpejtë të ndodhë anëtarësimi në KE

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca pas takimit me homologun e tij nga Belgjika, Maxime Prévot në konferencë për media vlerësoi bashkëpunimin me këtë shtet dhe tha se pritet të ndodhë një anëtarësim.

Konjufca u shpreh se Kosova dhe Belgjika gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme.

“Vizita e tij dhe takimi që sapo e përfunduam janë dëshmi e qartë e marrëdhënies së shkëlqyeshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, si dhe e vullnetit të përbashkët për t’i thelluar këto marrëdhënie akoma më tej. I dashur Zëvendëskryeministër, miku i Kosovës Prévot, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për mbështetjen e palëkundur që Belgjika ia ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite. Që nga qëndrimi parimor në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 e deri te njohja e pavarësisë sonë, vetëm pak ditë pas shpalljes së saj nga ana e Belgjikës, e pastaj përkrahja e vazhdueshme e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për anëtarësimin tonë në shumë organizata ndërkombëtare, janë mbështetje e Belgjikës që ka qenë shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe që si e tillë vlerësohet edhe nga ana e popullit, edhe nga ana e institucioneve të vendit tonë“, tha ai.

“Jemi mirënjohës për rolin që vendi juaj ka luajtur për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve tona, veçanërisht edhe në radhët e stafit diplomatik të kësaj ministrie ku po qëndroni sot. Si një nga vendet e para që ka ofruar mbështetje konkrete në drejtim përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizës, Belgjika ka kontribuar drejtpërdrejt për po ashtu formësimin profesional edhe të brezit tonë të diplomatëve që sot e përfaqësojnë Republikën e Kosovës në 53 misione që i kemi ne nëpër të gjitha anët e botës. Gjatë takimit produktiv që e patëm, diskutuam për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, por edhe ekonomik e në të gjitha fushat e vendeve tona, por unë do ta theksoja sidomos politikën e jashtme, fushën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Në fushën e politikës së jashtme, Belgjika është një nga partnerët më të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe në këtë frymë ia shpreha vlerësimin tim më të lartë Zëvendëskryeministrit Prévot për mbështetjen e tyre gjatë procesit për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara në aspiratat tona evropiane“, u shpreh tutje ai.

Konjufca tha se presin që anëtarësimi në Këshill të Evropës të ndodhë shpejtë.

“Në të njëjtën kohë e theksova, i theksova pritjet që i ka Republika e Kosovës sa i përket proceseve integruese, e në radhë të parë marrjes së pyetësorit nga ana e Bashkimit Evropian, i cili… domethënë e cila është një çështje që po pret e po bëhen tri vite e gjysmë prej kur kjo çështje ende nuk po trajtohet nga ana e Brukselit dhe Bashkimit Evropian.

Mbështetja që Belgjika ka dhënë në proceset integruese të Kosovës deri më tash ka qenë shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe presim që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të rrugës tonë, edhe drejt Këshillit të Evropës ku presim një anëtarësim të ndodhë shpejt, edhe në rrugën, në qartësimin e rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian. Në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Belgjika ka qenë një partnere e rëndësishme e Republikës së Kosovës përgjatë gjithë momenteve kyçe të historisë sonë moderne“, theksoi tutje ai

Postime të Ngjashme