Hën. Pri 13th, 2026

Haradinaj: Gjatë përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, rajoni i Hasit ishte aty ku shkruhej historia

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës në Kosovë në Rajonin e Hasit.

Përmes një postimi, Haradinaj ka kujtuar se kontributi i kësaj ane kulmoi me Brigadën 126 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.

Ai ka bërë të ditur se në Lugishtë të Hasit, së bashku me Shejh Xhemajliun, familjarë dhe bashkëluftëtarë, janë nderuar me respekt të thellë 14 dëshmorë dhe janë përkujtuar 40 martirë të kësaj zone.

Haradinaj ka theksuar se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me armikun, duke dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa ka shtuar se në shenjë hakmarrjeje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror mbi popullatën civile, duke vrarë mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj.

Po ashtu, ai ka përkujtuar edhe 11-vjetorin e vdekjes së Safet Gashit, të cilin e ka cilësuar si mësues që u bë strateg lufte dhe udhëhoqi Brigadën 126 të UÇK-së në beteja të shumta.

Në të njëjtin postim, Haradinaj ka kujtuar edhe 27-vjetorin e masakrës së Llashticës së Gjilanit, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë periudhës 13–30 prill 1999.

Ai ka rikujtuar gjithashtu ngjarjet tragjike në Studenicë të Istogut, ku u vranë nëntë shqiptarë, si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku forcat serbe ekzekutuan anëtarë të familjeve Zeka dhe Hoxha

Postime të Ngjashme