Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar për media sa i përket çështjes së presidentit.
Haradinaj, kur është pyetur se mos ndoshta kryeministri Kurti po dëshiron që të shkojë në zgjedhje ka deklaruar “jo ndoshta, por jemi në zgjedhje”.
Sipas tij, sikur Kurti të dëshironte ta zgjidhte presidentin e di se si shkojnë këto procese, pasi siç shton Haradinaj kanë përvoja politike në zgjedhjen e këtij të fundit.
“Nuk e ka me rëndësi se e ka vetën… Jo ndoshta, po jemi në zgjedhje, sikur të kish dashtë me zgjedhë presidentin ai e din si shkojnë këto punë, këto procese, ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arrit me zgjedhë president. Pra ai nuk e ka hap paketën fare të qeverisë, me thënë qeverinë po e ndali për vete, kur vjen puna e presidentit urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe, me atë që e fton për partneritet për president, pra bëhesh partner edhe në qeveri”, ka thënë ai.
Haradinaj, ka folur për kalimin e deputetët Duda Balje në Grupin parlamentar të AAK-së, duke thënë se nuk kanë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës.
“Tani mendoj që është mirë edhe për deputeten Duda Balje. Nuk kemi shumë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës, sa i përket vlerave të demokracisë, zhvillimit ekonomik por edhe përkrahjes së komuniteteve, Aleanca gjithmonë ka qenë e kujdesshme, edhe për ne një deputet më shumë në grup. Mendoj që është reciproke, pra është një lloj racionaliteti në fund të fundit se një deputet pa grup e ka të vështirë”, ka shtuar Haradinaj

