Mar. Pri 7th, 2026

Kostadinovski-Saveski: Përpjekjet për politizim dhe etnizim të punës së Gjykatës Kushtetuese goditje ndaj demokracisë

Prokurori Publik i Shtetit Nenad Saveski dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski sot realizuan takim, në të cilin shkëmbyen mendime dhe informacione për gjendjen në sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit, si dhe për rolin dhe përgjegjësitë e dy institucioneve në drejtim të përparimit të tyre dhe ndërtimit të një shteti funksional ligjor.

Siç është deklaruar nga të dy institucionet, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e sigurimit të pavarësisë dhe autonomisë maksimale të organeve gjyqësore, si një parakusht thelbësor për sundimin e ligjit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski theksoi se politika dhe organet shtetërore duhet të tregojnë një kulturë më të lartë kushtetuese, ligjore dhe politike dhe të përmbahen nga çdo ndikim dhe presion mbi gjyqësorin.

Ai theksoi se transparenca është një nga prioritetet kryesore të Gjykatës, me vendosjen e transmetimit publik të seancave që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një transparence dhe llogaridhënieje më të madhe.

“Përpjekjet për politizim dhe etnizim të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe të çdo organi gjyqësor, si dhe krijimi i një perceptimi të mosbesimit në institucione, përaqesin një goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Është koha e fundit që politika të heqë duart nga sistemi gjyqësor, ndërsa sistemi gjyqësor të japë rezultate konkrete”, theksoi Kostadinovski.

Prokurori publik Saveski potencoi se pa përgjegjësi të qartë dhe rezultate të matshme, nuk mund të flitet për sundim të vërtetë të ligjit. Ai shtoi se transparenca është një parakusht i domosdoshëm për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione.

“Prokuroria Publike mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj veprimeve të qëndrueshme, në kohë dhe të paanshme, por në të njëjtën kohë është e nevojshme që të gjitha institucionet të marrin një rol aktiv dhe të kontribuojnë në krijimin e një sistemi që jep rezultate. Mosbesimi në gjyqësor mund të tejkalohet vetëm përmes procedurave konkrete, integritetit profesional dhe llogaridhënies së dukshme. Sundimi i ligjit nuk është një përcaktim deklarativ, por një detyrim që kërkon aksion të vazhdueshëm dhe të përgjegjshëm”, theksoi Saveski.

Postime të Ngjashme