Hën. Pri 6th, 2026

LDK kritikon Qeverinë për çmimet e derivateve: Gjysma e parave shkon tek shteti

Anëtarë të LDK-së kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosuljen e çmimeve të naftës, duke theksuar se qytetarët paguajnë një pjesë të madhe të çmimit direkt tek shteti.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se vendet fqinje kanë ulur akcizën dhe TVSH-në për derivatet.

“Maqedonia, ku nafta kushton 1.55 euro, dje ka ulur akcizën për 7 cent ndërsa para dy javësh ka ulur TVSh nga 18% në 10%. Qeveria e Kosovës nuk e ka ulur as akcizën as TVSh, anipse çmimi është 1.85+. Mos lsho pe Albin! Sa më të larta çmimet, aq më shumë po të votojnë!”, ka shkruar Mustafa.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka publikuar një analizë të detajuar mbi mënyrën se si përbëhet çmimi i naftës në Kosovë.
Çmimi i naftës dhe benzinës mbetet i njëjtë si dje, MINTI del me paralajmërim për shkelësit

“Sipas të dhënave të Doganës për muajin Mars, për kodin tarifor 2710194400, çmimi mesatar i importit ka qenë 0,77 euro/litër. + 0.36 euro shteti ia ngjet menjëherë si akcizë, = 1.13 euro bëhet çmimi para se të llogaritet TVSH-ja. Mbi vlerën 1.13 euro, shteti shton edhe 18% TVSH, që i bie rreth 0.20 euro tjerë për çdo litër. TOTALI: 1.33–1.34 euro për litër. Pra, në çdo litër naftë, rreth gjysma shkon direkt në arkën e shtetit pa marrë parasysh fitimin e tregtarit”, ka theksuar Ymeri.
Ymeri ka shtuar se kjo praktikë lejon Qeverinë të arkëtojë miliona euro nga qytetarët.

“Me këto para bëhen shumë më tepër, po i merr 200 milionë Kryeministri edhe thotë se po rishpërndan, siç ka thënë për rrogën e 13-të të Trepçës. Nuk ka qenë rishpërndarje, por episod teatral për të joshur administratën publike për votë. Pra është teatër, show, me para tona”, tha ajo.

Analiza e përfaqësuesve të LDK-së vjen në një kohë kur çmimet e naftës në Kosovë mbeten më të lartat në rajon, ndërsa vendet fqinje kanë ndërmarrë masa për uljen e akcizës dhe TVSh-së për të lehtësuar barrën ndaj qytetarëve.

Postime të Ngjashme