Pre. Pri 3rd, 2026

Rajkov: Mbi 210.000 persona nga Republika e Maqedonisë së Veriut kanë vërtetuar origjinën e tyre bullgare me dokumente

Një reagim ka mbërritur nga Sofja zyrtare në lidhje me deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickovski se “nëse është e nevojshme, do të presim me dekada”, por nuk do të pranojmë ndryshime kushtetuese që “ndikojnë drejtpërdrejt në pozicionet identitare”, duke shtuar se nuk planifikon të hyjë në një “aventurë pa një fund të qartë”.

Sipas zv. ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Marin Rajkov, “padyshim që qarqe të caktuara në Shkup janë të prirura të humbasin më shumë kohë me qytetarët maqedonas”.

“Mbi 210.000 persona nga Republika e Maqedonisë së Veriut kanë vërtetuar origjinën e tyre bullgare me dokumente”, komentoi Rajkov, raporton “BNT”.

Ai theksoi se kjo imponon nevojën për garanci të qarta për të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoni.

Zëvendësministri ishte kategorik se mungesa e garancive reale për komunitetin bullgar është problemi kryesor në marrëdhëniet me Shkupin dhe në procesin e integrimit evropian. Ai tha se ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë është një kusht themelor për përparimin në negociata. Për Rajkov, problemi nuk duhet të shihet si dypalësh midis Sofjes dhe Shkupit, por në kontekstin e detyrimeve ndaj BE-së.

“Fakti është se ministri i tyre i jashtëm shkon nga një zyrë në tjetrën në Bruksel dhe ankohet për Bashkimin Evropian, për Bullgarinë dhe për gjëra të ndryshme. Ne nuk duam të hyjmë në një model të tillë, ku ta ndjekim, sepse nuk duam që kjo çështje të perceptohet si dypalëshe. Të pretendosh se ekziston një problem dypalësh midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht manipuluese. Problemi është më shumë midis Shkupit dhe BE-së dhe mospërmbushjes së kërkesave”, tha zyrtari bullgar

Postime të Ngjashme