Pre. Pri 3rd, 2026

Muja dhe Salla diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në bujqësi dhe tregti

Në konferencën për media pas takimit të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Andis Salla, u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve.

Ministri Muja tha se bashkëpunimi me Shqipërinë do të fokusohet në rritjen e prodhimit vendor të ushqimit, lehtësimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

“Ne posa përfunduam një takim me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, zotin Andis Salla. Ne patëm mundësinë dhe kënaqësinë të diskutojmë edhe në format të zgjeruar me stafet e dy ministrive, sa i përket një numri të gjatë të prioriteteve.

Fillimisht ne diskutuam për çështjen e marrëveshjeve paraprake dhe mundësinë që ato të lehtësohen edhe përmes afateve dhe stafit mbështetës shtesë që do të përkushtohet për zbatimin e tyre. Po gjithsesi, tema kryesore e diskutimit ishte prodhimi i më shumë ushqimi, qoftë andej, qoftë këtej. Të dy vendet tona janë importuese të ushqimit dhe është nevojë e përbashkët që ne, si dy vende, t’i koordinojmë hapat drejt prodhimit të më shumë produkteve bujqësore për të plotësuar sa më shumë që është e mundshme nga nevojat e konsumatorit të dy vendeve. Gjithashtu diskutuam pak edhe tek çështja e komplementaritetit, se çfarë mund të koordinohet në hapat e prodhimit bujqësor, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, dhe u dakorduam që të vazhdojmë diskutimet në këtë drejtim. Diskutuam mbi nevojën e rëndësishme të promovimit të standardeve të Bashkimit Evropian tek siguria ushqimore, dhe diskutuam edhe për mundësinë dhe hapat që duhet t’i marrim për thjeshtësimin dhe reduktimin e çfarëdo barriere që mund të pengojë kontaktin midis bizneseve tona. Dhe si përfundim, ishte kënaqësi që të shohim edhe progresin që ka arritur edhe Shqipëria tek avancimi i standardeve të Bashkimit Evropian. Ne ekzistojmë sigurisht për t’i shërbyer shoqërive tona, por destinacioni përfundimtar është Bashkimi Evropian, dhe sa më herët që adaptohen kriteret dhe standardet, aq më mirë për tregjet edhe për njerëzit tanë”, tha Muja.

Postime të Ngjashme