Enj. Pri 2nd, 2026

Besian Mustafa Kjo qeveri deri më tani nuk ka bërë asgjë ndaj rritjes se vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve të naftës po shoqërohet me shtrenjtim edhe në sektorë të tjerë, duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve në vend.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online konsideron se kjo situatë po vjen si pasojë e dështimit të qeverisë dhe Ministrisë së Tregtisë për ta menaxhuar krizën.

Mustafa, deklaron se qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve tek qytetarët.

“Ne nuk presim dhe nuk kemi pritje që Qeveria e Kosovës të kontrollojë tregun ndërkombëtar të derivateve natyrisht, por presim që kjo qeveri t’i zbatojë detyrat dhe obligimet që i ka ndaj qytetarëve të Kosovës. Pra, kjo është qeveri e Kosovës dhe duhet t’i mbrojë dhe t’i përkrahë qytetarët e Kosovës karshi rritjes së çmimit të derivateve, të cilat pastaj nëse i bashkërendit edhe me rritjen e normave të çmimeve të energjisë që po parashihen edhe ato aktuale edhe ato të ardhshmet kanë shkaktuar rritje enorme të çmimeve të tjerë, pra si transporti, ushqimi dhe çdo gjë tjetër, veshmbathje dhe çdo gjë tjetër. Prandaj kjo qeveri deri më tani nuk ka bërë asgjë për t’i përkrahur qytetarët e Kosovës ndaj rritjes së çmimeve në çdo anë, pra nafta, energjia, ushqimi, veshmbathja, transporti dhe të gjitha”, tha Mustafa.

Kurse, sa i përket ndikimeve të uljes së TVSH-së dhe akcizës, Mustafa u shpreh se këto kërkesa fillimisht kanë qenë nga LDK, por se vetëm për një periudhë të caktuar.

“Saktësisht, këto kanë qenë disa nga propozimet që ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës. Pra, për një periudhë të caktuar jo për pafundësi por për një periudhë të përcaktuar derisa të tejkalohet kjo situatë ndërkombëtare me çmimet e derivateve, të ketë një reduktim apo largim të tërësishëm të akcizës në naftë dhe në derivate dhe të bëhet e njëjta gjë me TVSH-në. Fatkeqësisht qeveria, përfshirë disa ministra, kanë dalë publikisht saktësisht ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka dalë publikisht për të thënë se nuk do të ketë një qasje të tillë nga kjo qeveri. Njëkohësisht, duhet t’ju rikujtoj që po ajo ministri e Tregtisë dhe Industrisë ka të miratuar nga Kuvendi i Kosovës ligjin për të vënë çmimet tavan në çmimet e derivateve, por një gjë e tillë nuk po ndodh”, thotë deputeti.

Mustafa tha se pavarësisht që ka një ligj për të vendosur tavan tek çmimet e derivateve, një gjë e tillë nuk po ndodhë pasi çmimet po rriten vazhdimisht.

“Pra, edhe pse kanë një ligj për të vendosur tavan tek çmimet e derivateve, çmimet po rriten vazhdimisht nga dita në ditë. Pra, kemi një dështim total edhe në vendosjen e çmimeve tavan, edhe në largimin e akcizës apo TVSH-së. Çmimet po rriten vazhdimisht, ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë del dhe rrudh krahët para qytetarëve, thotë: ‘unë s’kam çfarë të bëj, s’dua të bëj më shumë, s’kam çfarë të bëj më shumë’”, shtoi ai.

Që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, çmimet e naftës në Kosovë, ashtu sikurse në mbarë botën, janë shtrenjtuar vazhdimisht.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *