Mër. Mar 18th, 2026

Apeli i ul dënimin të akuzuarit për krime lufte

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Zhivojin Neshiq dhe ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës të datës 17.06.2025, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin Zhivojin Neshiq, për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vjetësh, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 04.03.2024 e tutje.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.71/2024 të datës 17.06.2025, e kishte shpallur fajtor të pandehurin Zhivojin Neshiq, për veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetësh.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për shkak se dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu i njëjti është në përputhshmëri të plotë me arsyetimin dhe përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave ligjore, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor. Në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar janë dhënë arsyet e duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike, ku gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe atë si ato faktike dhe ato juridike, të cilat kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe të ligjshme.

Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, ngase nga shkresat e çështjes rezulton se e njëjta ka administruar provat në mënyrë të rregullt, i ka vlerësuar ato veç e veç dhe në ndërlidhje reciproke, po ashtu ka arritur në përfundime të arsyetuara, të cilat kjo kolegji gjykues i vlerëson si ligjërisht të bazuara, pra gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe plotësisht mbi bazën e provave të pranueshme.

Kolegji gjykues, po ashtu konstatoi se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt ligjin penal dhe se në rastin konkret janë vërtetuar të gjitha elementet përbërëse të veprës penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 i Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në lidhje me nenin 22 të këtij ligji.

Kolegji i kësaj gjykate, ka ndryshuar vendimin sa i përket vendimit mbi dënimin, ashtu që kolegji vlerëson se një dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vjetësh është proporcional me shkallën e fajësisë së të pandehurit, me rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale dhe me nevojën për të shprehur dënimin shoqëror ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *