Nëse konstatohet se zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale kanë bërë shkelje dhe kanë neglizhuar rastin e 5-vjeçarit, Komuna e Lipjanit paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme karshi tyre siç e parasheh legjislacioni në fuqi.
Kështu tha zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Besarta Qadraku, e cila tha se do të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e rrethanave për rastin e 5-vjeçarit, i cili për shkak të keqtrajtimit nga prindërit është në gjendje shëndetësore të rëndë duke u trajtuar nga QKUK.
“Një ngjarje mjaftë e rëndë që na ka shqetësuar të gjithëve. Natyrisht rasti është trajtuar nga Qendra për Punë Sociale dhe organet kompetente… Ne si komunë jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunim në çfarëdo forme për të zbuluar rrethanat deri në zbardhjen plotësisht të rastit”, tha ajo.
Sipas saj, nëse konstatohet se ka pas shkelje apo neglizhencë nga zyrtarët e QPS në Lipjan do të marrin masa, qoftë suspendim apo edhe largim nga vendi i punës.
“QPS ka qenë e informuar për rastin dhe sigurisht dhe duke e trajtuar. Tani rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe ne jemi duke pritur një analizë dhe një raport të detajuar lidhje me këtë rast. Derisa nuk kemi një raport të detajuar nuk jemi kompetent të flasim, por nëse konstatohet se ka pas neglizhencë ose shkelje nga ana e zyrtarëve patjetër që do të ndërmarrim masa… Përfshihet suspendimi dhe largimi”, tha ajo.
Qadraku tha se janë në koordinim me Qendrën për Punë Sociale në komunën e Lipjanit.
Ndryshe, 5-vjecari nga Lipjani për shkak të keqtrajtimit nga prindërit është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ndërsa tashmë me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës prindërit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Fëmija ka plagë të rënda në shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze, ndërsa nga Klinika e Pediatrisë kanë deklaruar se fëmija dyshohet edhe për kequshqyerje.
Tashmë fëmijët tjerë të kësaj familje janë marrë nën përkujdese nga Qendra për Punë Sociale e Lipjanit.
Rastin e ka dënuar edhe ministri i Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti i cili ka urdhëruar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit. /KP/

