Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, deklaroi se në mandatin e ardhshëm do të punojë për të “nxitur migrimin” e palestinezëve nga Bregu Perëndimor, si edhe nga Rripi i Gazës. Në thelb, bëhet fjalë për idenë e dëbimit të palestinezëve.
Kjo ide, për të cilën kritikët thonë se përfaqëson spastrim etnik, është mbështetur disa herë nga liderë të ekstremit të djathtë, përfshirë Smotrichin, pas sulmit të Hamas më 7 tetor 2023, por kryesisht ka qenë e fokusuar në Gazë.
Deklarata e Smotrich përbën një rast relativisht të rrallë kur një politikan i lartë izraelit shpreh dëshirën që ky objektiv kontrovers të zgjerohet edhe në Bregun Perëndimor, raporton timesofisrael.
Ministri e bëri këtë deklaratë në një tubim të partisë së tij të ekstremit të djathtë Religious Zionism, ku paraqiti, siç tha, objektivat e qeverisë së ardhshme, përfshirë shfuqizimin e Marrëveshjeve të Oslos të viteve 1990 dhe zbatimin e sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor, një hap i ngjashëm me aneksimin.
“Të shkatërrojmë idenë e një shteti arab terrorist; më në fund, formalisht dhe praktikisht, të anulojmë marrëveshjet e mallkuara të Oslos dhe të ecim drejt sovranitetit, duke nxitur migrimin si nga Gaza ashtu edhe nga Judea dhe Samaria. Nuk ka zgjidhje tjetër afatgjatë”, tha Smotrich gjersa u duartrokit nga të pranishmit në sallë.
Zgjedhjet pritet të mbahen deri në muajin tetor. Partia e Smotrichit në sondazhe renditet vazhdimisht rreth ose nën pragun zgjedhor.

