Mar. Shk 3rd, 2026

Kosova rrezikon t’i humbas mjetet nga Plani i Rritjes

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për RTV21 se të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Komisioni bëri të ditur se ka miratuar 6 agjenda të reformave dhe se deri më tani vetëm katër shtete kanë përfituar. Komisioni tha se është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura brenda periudhës së tolerancës. Komisioni përmendi edhe rreziqet që ka Kosova t’i humbasë këto mjete si shkak i vonesave për formimin e institucioneve.

“Komisioni është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura, duke siguruar përmbushjen e tyre brenda periudhës së tolerancës. Periudha e tolerancës për hapat që duhej të përmbusheshin në fund të vitit 2024 përfundon në fund të vitit 2026, ndërsa për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025 përfundon në mesin e vitit 2026. Për këtë arsye, ne po u bëjmë thirrje partnerëve që të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin në kohë të reformave, përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që të shfrytëzojnë maksimalisht atë që Plani i Rritjes u ofron atyre.”

Nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor vetëm Kosova dhe Bosnja nuk kanë arritur që të marrin mjete nga plani i rritjes. Ndonëse Bosnja është bllokuar nga Republika Serbe, Kosova u bllokua nga vet subjektet politike të cilat hynë në një krizë politike që nga 9 shkurti e cila prodhoi zgjedhjet e 28 dhjetorit. Avokati Ardian Bajraktari, vlerëson se subjektet politike mund të flasin për formimin e institucioneve vetëm në pjesën e dytë të muajit shkurt.

“Vlerësoj se tash pas ankesave në PZAP dhe pastaj në Gjykatën Supreme mund të themi se deri në pjesën e dytë të muajit shkurt nuk mund të kemi rezultate të certifikuara dhe rrjedhimisht nisje të procedurave për formimin e institucioneve.”, tha Bajraktari për RTV21.

Deri më tani nga Plani i Rritjes i BE-së më së shumti vlerësohet se ka përfituar Serbia me mbi 167 milionë euro e pasuar nga Shqipëria me mbi 163 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 80 milionë euro dhe Mali i Zi me mbi 45 milionë euro. Njohësi i marrëdhënies ndërkombëtare Jeton Kelmendi, thotë se subjektet politike do duhej që me urgjencë të paktën të konstituuojnë Kuvendin.

“Tash po besoj që Albin Kurti është ngopur me fitorën mbi 50% dhe se varet nga ai që të formohen institucionet dhe se a do të zgjidhet kreu i shtetit. Por edhe nëse nuk e zgjedhin kreun e shtetit të paktën të konstituohet Kuvendit të ratifikojnë marrëveshjet fillimisht buxhetin që të mos kemi krizë financiare sepse rrezikojmë një të tillë nga muaji mars dhe pastaj marrëveshjet ndërkombëtare e pas këtyre le të shkojnë në zgjedhje le të bëjnë çfarë të dojnë sepse qytetarët nuk bënë të mbesin peng i lojërave… “, u shpreh Kelmendi për RTV21.

Vonesat në certifikimin e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit kanë vonuar edhe formimin e institucioneve të reja. Në këtë situatë, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda muajit shkurt qytetarët në Kosovë që nga 1 marsi rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe skema sociale pasi që subjektet politike shkuan në zgjedhje të reja pa miratuar buxhetin për vitin 2026. Rrjedhimisht edhe pa i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare nga të cilat përfiton Kosova.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *