Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se nuk pajtohet me vendosjen e trupave turke ose të Katarit në Rripin e Gazës, duke shprehur mospajtimin e tij me Shtetet e Bashkuara mbi qeverisjen e ardhshme të enklavës.
“Nuk do të ketë as ushtarë turq dhe as të Katarit në Rripin e Gazës”, i tha Netanyahu parlamentit. Ai shtoi se Izraeli nuk pajtohet me Uashingtonin se kush do të jetë përgjegjës për zbatimin e planit të Presidentit Donald Trump për enklavën palestineze.
Shtëpia e Bardhë njoftoi në fund të javës së kaluar formimin e një komiteti ekzekutiv që do të veprojë nën kujdesin e “Këshillit të Paqes”, të cilin vetë Trump do ta kryesojë. Ky komitet, i paraqitur si “këshillues”, përfshin, ndër të tjerë, Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan dhe diplomatin e Katarit Ali al-Thawadi.
Që nga e shtuna, zyra e Netanyahut ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj përbërjes së këtij organi të ri.
“Njoftimi i përbërjes së komitetit “nuk u bë në koordinim me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij”, tha Netanyahu, duke vënë në dukje se ai “e ka udhëzuar Sekretarin e Shtetit të komunikojë për këtë çështje me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së”.
Deklarata e së shtunës nuk specifikoi arsyet e kundërshtimeve të Izraelit, por vendi ka deklaruar vazhdimisht se nuk pajtohet me përfshirjen e Turqisë në Gazën e pasluftës. Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan me shpejtësi pas luftës që filloi me sulmin e paprecedentë të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor 2023.
SHBA-të kanë njoftuar tashmë se marrëveshja e armëpushimit në Gaza ka hyrë në fazën e saj të dytë. Kjo fazë e dytë parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite që kontrollojnë pothuajse gjysmën e enklavës dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.
Ende nuk është përcaktuar se cilat vende do të marrin pjesë në këtë forcë, e cila do të ngarkohet me ndihmën në sigurinë e Gazës dhe trajnimin e forcave policore palestineze.

