Dyert e Gjykatës Kushtetuese të mërkurën do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët, të cilët do ta mund ta vizitojnë objektin e kësaj gjykate në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni”, ka bërë të ditur Kushtetuesja.
Gjykata më e lartë në vend thotë se organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa , dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë.
“Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta. Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë”, thuhet në njoftimin e tyre për ngjarjen “Dita e Gjykatës së Hapur”.
Megjithatë, Kushtetuesja ka specifikuar se vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë fotografi vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës.

