Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana kanë finalizuar me sukses ekstradimin nga Kroacia të shtetasit E. Sh., 55 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ekstradimi u krye në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Interpolit në Kroaci.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj këtij shtetasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), me vendimin e datës 27.05.2025, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale të rënda:
Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, në formën e bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se E. Sh., së bashku me persona të tjerë, duke funksionuar si organizatë kriminale, ka kontrabanduar cigare me akcizë, duke i shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik prej 366 034 540 lekësh.
Pas mbërritjes në Shqipëri, i ekstraduari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së.

