Hën. Dhj 1st, 2025

Vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt

Këtë të hënë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Në seancat e fundit janë dëgjuar disa dëshmitarë kyç, përfshirë Kanon Kokallën, i cili para trupit gjykues ka konfirmuar se është në lidhje familjare me dy të akuzuarit, ndërsa për Granit Plavën tha se e kishte shok gjenerate.

Tutje, i pyetur lidhur me sjelljet e vëllait të tij, tani të akuzuarit Kokalla, dëshmitari tha se ai ishte pjesëtar i FSK-së.

“Për faktin se ka qenë pjesëtar i FSK-së, do me thënë se ka qenë djalë i sjellshëm”, kishte deklaruar Kokalla.

Ai theksoi se familja e tij është ende nën tronditje nga rasti, ndërsa rrëfeu se për vrasjen kishte kuptuar nga një shok që i kishte shkruar në Facebook.

Më herët ishin marrë në pyetje edhe dëshmitarët Florian Avdija, Aurel Pajaziti dhe Valon Lluka.

Ekspertët e Psikiatrisë Forenzike kanë konstatuar se Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës.

Në seancën fillestare të 31 janarit, Murseli u deklarua i pafajshëm, Plava nuk u deklarua, ndërsa Kokalla kërkoi të konsultohet me mbrojtjen. I akuzuari tjetër, Tom Dodaj, kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Aktakuza ndaj të pandehurve ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *