Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, Avokati i Popullit thekson se kjo ditë na kujton se çdo fëmijë, kudo në botë, meriton dashuri, siguri, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tij të plotë.
Avokati i Popullit njofton se kur janë fëmijët në pyetje përgjegjësia është e përbashkët e komunitetit, institucioneve, familjeve dhe shoqërisë për të krijuar një mjedis ku fëmijët rriten të mbrojtur, të vlerësuar dhe të dëgjuar.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë i sigurt, i mbrojtur nga dhuna, abuzimi, keqtrajtimi dhe çdo formë diskriminimi. Çdo vendimmarrje dhe politikë duhet të ketë në qendër interesin më të lartë të fëmijës.
Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar të monitorojë zbatimin e të drejtave të fëmijëve, të identifikojë mangësitë dhe të kërkojë nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmirësimin e situatës. Të drejtat e fëmijëve nuk janë çështje simbolike – ato janë detyrim që kërkon veprim të vazhdueshëm.
Me urimin që çdo fëmijë të gëzojë fëmijëri të sigurt, të drejtë dhe të lumtur, shënojmë sot Ditën Botërore të Fëmijëve duke ritheksuar se mbrojtja e tyre është investimi më i vlefshëm për të ardhmen e shoqërisë”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

