Enj. Nën 20th, 2025

Draft-propozimi amerikan për paqe kërkon lëshime territoriale nga Ukraina

Një draft-propozim i ri i hartuar nga Shtetet e Bashkuara që synon ndaljen e luftës në Ukrainë, kërkon që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e territorit të tij.

Raportohet po ashtu se propozimet amerikane përfshijnë reduktimin e madhësisë së forcave të armatosura dhe pranimin e ndalimit të ndihmës ushtarake amerikane që ka qenë thelbësore për luftën e Ukrainës kundër forcave ruse.

Për më tepër, asnjë forcë e huaj nuk do të lejohet në tokën ukrainase dhe Kievi nuk do të marrë më armë me rreze të gjatë veprimi.

Propozimet e këtij drafti të hartuar, që u përshkruan në detaje nga The Fnancial Times dhe Reuters, përputhen kryesisht me kërkesat që Rusia ka bërë që nga fillimi i këtij viti, kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi përpjekjet për negociata të drejtpërdrejta me Moskën lidhur me luftën në Ukrainë.

Një burim, që ka njohuri për këtë çështje, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se “nuk e di nëse ky është plani i të dërguarit amerikan Steve Witkoff, apo ndonjë plan tjetër, por mund të ju them se sipas informacioneve që kam, pala amerikane ka dërguar sinjale te pala ukrainase, praktikisht duke insistuar që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të pajtohet për një kornizë që do të përfshinte disa pika sikurse dorëzimi i territoreve dhe njohja e tyre si ruse, zvogëlimi i forcave të mbrojtjes dhe disa pika tjera të favorshme për presidentin rus, Vladimir Putin”.

Pavarësisht se zyrtarët ukrainas ende nuk kanë folur publikisht për këtë çështje, pak pasi nisën të qarkullonin lajmet për propozimet, Zelensky, që gjendet në vizitë në Turqi, lavdëroi “hapat vendimtarë dhe udhëheqjen e presidentit Trump dhe çdo propozim të drejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Dhe, vetëm presidenti Trump dhe SHBA-ja kanë fuqinë e mjaftueshme që lufta të përfundojë”.

Më 20 nëntor, Zelensky pritet të takohet me zyrtarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes në Kiev.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *