Mër. Nën 19th, 2025

AUV ndalon importin e shpezëve nga disa rajone të Gjermanisë pas rasteve të gripit të shpezëve H5N1

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar sot se ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalesën e importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, duke shfuqizuar ndalesën e mëparshme të datës 30.10.2025.

Njoftimi i plotë:

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalesën e importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga shteti i Gjermanisë, duke shfuqizuar ndalesën e vendimit të datës 30.10.2025.

Ky vendim është marrë duke iu referuar, raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportit të Komisionit Evropian të datës 28.10.2025 dhe Raportit të Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12.11.2025.

Në bazë të Ligjit të Veterinarisë Nr. 2004/21, lejohet importi i shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, me përjashtim të zonave administrative të prekura si: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein ku është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në disa ferma të shpezëve nga këto zona, nga ku ndalohet importi i shpezëve të gjalla, mishit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e lartpërmendura të shtetit të Gjermanisë.

Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktive deri në vlerësimin e radhës nga autoritetet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

AUV do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim të mundshëm.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *