Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, lidhur me situatën e rënduar financiare të tyre, kanë njoftuar se sot në shenjë revolte, do të mbajnë grevë njëorëshe në oborrin e RTK-së.
Punëtorët e RTK-së nga ora 11:00 deri në ora 12:00 nuk do të punojnë, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre dhe kërkesën për të gjënë elementare të tyre, pagën të cilën nuk e kanë marrë kur kanë kaluar 16 ditë të muajit nëntor.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi ka njoftuar se kanë dërguar edhe një letër publike tek Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian si dhe tek Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ku thotë se i kanë njoftuar për gjenden e rënduar të RTK-së.
Njoftimi i plotë i Bimbashit
LETËR PUBLIKE
Nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)
Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së njofton opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare se gjatë ditëve të fundit kemi dërguar letra zyrtare:
• Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian
• Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian
• Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian
Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.
Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.
Për të shprehur revoltën tonë dhe për të mobilizuar solidaritetin, njoftojmë se të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe. Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.
Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.

