Enj. Maj 28th, 2026

Hamza: Do t’i ulim çmimet, do ta heqim TVSH-në për produktet bazë, do t’i rrisim pagat dhe pensionet

Në tubimin hapës të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës,i pari i kësaj partie, dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar programin e tij politik duke premtuar ulje të çmimeve, rritje pagash e pensionesh dhe investime në ekonomi, energji e shëndetësi.

Hamza tha se ky qyteti i Ferizajt është zgjedhur në mënyrë të veçantë për nisjen e fushatës, duke e cilësuar këtë tubim si fillim të një “kapitulli të ri” për Kosovën.

Ai akuzoi qeverisjen aktuale për stagnim dhe krizë ekonomike, sociale e politike, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga mungesa e rezultateve.
“Qytetarët, familjet dhe rinia janë lodhur duke pritur. Kosova është lodhur nga kriza. Krizë ekonomike, sociale, politike dhe e shpresës. Kjo krizë ka një shkaktar, dhe është rezultat i gjashtë viteve të arrogancës, konfliktit dhe mungesës së rezultateve. Për gjashtë vite kemi dëgjuar arsyetime, propagandë dhe viktimizim. Produktet bazike kushtojnë më shumë. Nafta dhe kostoja e jetesës janë shtrenjtuar, ndërsa pagat kanë mbetur mbrapa. Qytetarët janë lënë vetëm përballë krizës, derisa ju vazhdoni me faturat për të ardhmen e familjeve tuaja. Zoti Kurti sulmon të gjithë: opozitën, bizneset, mediat, komunat, aleatët strategjikë dhe çlirimtarët.”, tha ai

Hamza ngriti pyetje lidhur me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe vështirësitë e qytetarëve përballë kostos së jetesës.

Duke prezantuar prioritetet e programit të tij, ai premtoi heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe rritje të pagave e pensioneve.
“Do t’i ulim çmimet, do ta heqim TVSH-në për produktet bazë. Qytetarët do të kenë më shumë para në xhepat e tyre. Do t’i rrisim pagat dhe pensionet.50 për qind rritje për të punësuarit në sektorin publik, si dhe 50 për qind për pensionet dhe ndihmat sociale që sot paguhen nga buxheti. Asnjë ndihmë, asnjë pagesë nga buxheti i Kosovës nuk do të jetë më e ulët se 300 euro. Askush në Kosovë nuk duhet të jetojë pa dinjitet.Do t’i mbështesim bizneset me më pak tatime për paga, me grante deri në 30 për qind për investime dhe mbështetje për sipërmarrësit, sepse ekonomia ndërtohet duke punuar dhe duke krijuar vende pune.Do të investojmë në infrastrukturë, energji dhe teknologji. Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike, hekurudha, rrugë dhe infrastrukturë digjitale, sepse një shtet nuk mund të mbetet peng i krizave të përhershme”, tha ai.

Ai premtoi gjithashtu mbështetje për bizneset përmes uljes së tatimeve dhe subvencioneve për investime.

Në programin e tij përmendi edhe investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji, si dhe reforma në shëndetësi si program kombëtar për pacientët me kancer.
Lexo po ashtuHaxhiu tregon çfarë fiton Kosova me njohjen amerikane të AKA-së?Ai paralajmëroi edhe 30 milionë euro bursa për studentët dhe qendra multifunksionale për të rinjtë. Si dhe në kuadër të premtimeve të tij ishte edhe forcimi i drejtësisë dhe zbatimi i plotë I ligjit për të gjithë.
Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së që po gjykohen në Hagë, duke deklaruar se “ata janë pjesë e historisë së Kosovës” dhe se “do të kthehen faqebardhë”.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në fushatën hapëse të PDK-së tha se ekonomia e Kosovës është e rënë në gjunjë, komunat janë në buzë të falemintimit e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë nuk i është dhënmë prirotet
“Kudo sot ndihet zëri i revoltës. Mbijetesa është kryefjala e përditshmërisë, ekonomia është e rënë në gjunjë, komunat buzë falimentimit, arsimi ku cilësisë nuk i është dhënë prioritet, shëndetësia që mbahet me zor në jetë, bujqësia që për prodhimin nuk garanton treg. Nuk janë thjesht gjëra private, as raste të izoluara e fenomene jetëshkurtra, por alarm i gjithë shoqërisë. Këto janë prioritetet e qytetarëve me Bedri Hamzën kryeministër. Me Partinë Demokratike të Kosovës, këto janë prioritete të qeverisjes. Secili nga ju dhe nga çdo vend në Kosovë e di se Hamza ka dije, vizion dhe platformë qeverisëse. Ka dhënë prova dhe dëshmi, ka edhe guximin. Ai ka ekipin, energjinë dhe vizionin për ta ndryshuar Kosovën. Është njeri i dëshmuar për të bërë më mirë për Kosovën dhe për ta bërë atë që qytetarët presin prej tij”, tha ai.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë Bedri Hamzën për kryeministër të Kosovës, duke thënë se me këtë parti në qeveri Kosova dhe qytetarët kanë zgjidhje e jo propagandë, si dhe një vend ku gjallërojnë mundësitë e jo krizat.

Në këtë tubim, Partia Demokratike e Kosovës prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkaq, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për KosovaPress se fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa e shtuna para zgjedhjeve nuk do të jetë heshtje zgjedhore.

Postime të Ngjashme