Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij, Sveçla ka vlerësuar punën dhe angazhimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke veçuar profesionalizmin, guximin dhe sakrificën e tyre në shërbim të qytetarëve.
Ai tha se gjatë 27 viteve të funksionimit, Policia e Kosovës ka kaluar nëpër etapa të ndryshme dhe është përballur me sfida të shumta, por misioni i saj ka mbetur i njëjtë – garantimi i rendit dhe sigurisë publike dhe mbrojtja e qytetarëve.
“Policia ka dëshmuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi janë në shërbim publik dhe janë vlera mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti”, është shprehur Sveçla.
Në këtë përvjetor, ministri në detyrë ka përmendur edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
“Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, ka deklaruar ai

