Enj. Sht 3rd, 2026

171 mijë euro për sigurimin e pjesëtarëve të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes hap tenderin

Ministria e Mbrojtjes ka hapur procedurë prokurimi për sigurimin shëndetësor dhe aksidental për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit për kontratë, vlera e parashikuar e këtij prokurimi është 171 mijë euro, ndërsa kontrata parashihet të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh, .

Objektivi i Ministrisë së Mbrojtjes është lidhja e një kontrate me një operator ekonomik që ka kapacitetin për të ofruar shërbimet e sigurimit shëndetësor dhe aksidental për nevojat e FSK-së, me synim rritjen e operacionalitetit dhe efikasitetit në përmbushjen e detyrave të saj.

Në garë mund të marrin pjesë operatorët ekonomikë që plotësojnë kriteret e përcaktuara, përfshirë dëshminë për kapacitet financiar dhe përvojë në kontrata të ngjashme. Për tre vitet e fundit, operatorët duhet të dëshmojnë qarkullim vjetor në total prej së paku 171 mijë euro, si dhe kontrata të përfunduara të natyrës së njëjtë ose të ngjashme në vlerë jo më të vogël se kjo shumë.

Po ashtu, operatori ekonomik duhet të jetë i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës për ushtrimin e veprimtarisë së sigurimeve dhe licenca duhet të jetë e vlefshme në momentin e dorëzimit të ofertës.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 20 tetor 2026, në ora 14:00, ndërsa ofertat do të dorëzohen dhe hapen në mënyrë elektronike përmes platformës së e-Prokurimit.

Kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët

Postime të Ngjashme