Një zjarr ka shpërthyer rreth orës 02:20 pas mesnatës në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë.
Sipas njoftimit, Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Zjarri kishte përfshirë një pjesë të depos në bodrumin e objektit, ndërsa falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, ai është lokalizuar me kohë.
Intervenimi ka parandaluar përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të objektit, duke shmangur kështu dëme të mundshme më të mëdha.
Ndërkohë, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me shkaqet e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara.

