Xhafer Gashi ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet që ka mbajtur në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ish-kryetari i Obiliqit dhe udhëheqësi i Degës së LDK-së në këtë komunë ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë pas qëndrimit të Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Bashkë me Gashin, dorëheqje kanë dhënë edhe asambleistë të LDK-së në Obiliq.
Në një deklaratë të titulluar “Atdheu përpara vetes”, Gashi ka thënë se mosvotimi i ndryshimeve ligjore ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në Degën e LDK-së në Obiliq.
Ai ka theksuar se nuk mund të vazhdojë të mbajë funksionet partiake në një situatë kur qëndrimi i partisë, sipas tij, bie ndesh me bindjet dhe përgjegjësinë që ndien ndaj qytetarëve që përfaqëson.
Gashi ka bërë të ditur se largohet nga pozitat e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq.
Në deklaratën e tij, ai ka vënë theks të veçantë te mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe ka thënë se çështje të tilla duhet të tejkalojnë interesat partiake.
“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi.

