Eksperti i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka vlerësuar se Albulena Haxhiu nuk mund ta vazhdojë ushtrimin e detyrës së presidentit pas 4 tetorit, pavarësisht rizgjedhjes së saj në krye të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Bugaqkut, më 4 tetor përfundon afati gjashtëmujor i përcaktuar me Kushtetutë për ushtrimin e detyrës së presidentit dhe ky afat nuk mund të riniset vetëm për shkak të rizgjedhjes së Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se është në kundërshtim me nenin 90, paragrafin 3, të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Bugaqku për Radio Evropa e Lirë.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se çdo vendim apo dekret që Haxhiu mund të nxirrte pas 4 tetorit do të ishte i kontestueshëm në aspektin kushtetues dhe mund të rrëzohej nga gjykatat.
Bugaqku e ka cilësuar tejkalimin e këtij afati pa zgjedhjen e një presidenti të ri si “një njollë shumë të keqe” për shtetin dhe si një precedent të rrezikshëm që, sipas tij, cenon edhe sigurinë kombëtare.
Sipas tij, deputetët duhet ta konsiderojnë si alarmues afatin deri më 4 tetor dhe të sigurojnë zgjedhjen e presidentit të ri brenda këtij kufiri kushtetues.

