Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke triumfuar 3:1 ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Dardanet” kosovare zhvilluan një ndeshje të fortë dhe arritën ta fitojnë setin e parë me rezultat 30:28, ndërsa të dytin 25:17.
Maqedonia e Veriut reagoi në setin e tretë, të cilin e fitoi 25:19, por Kosova e mbylli ndeshjen në setin e katërt me 25:16.
Me këtë triumf, Kosova regjistron fitoren e dytë në tri ndeshje në Grupin B, pas suksesit 3:0 ndaj Algjerisë. Në ndeshjen hapëse, Kosova ishte mposhtur nga Greqia 3:0.
Kjo fitore e forcon Kosovën në garën për një pozitë sa më të mirë në grup dhe përfaqëson një tjetër rezultat të rëndësishëm për volejbollin kosovar në debutimin në Lojërat Mesdhetare.
KosovaPress

